Mentaliteti ka shkaktuar një masakër në Klos. • Pasditen e sotme, rreth orës 14:00, u raportua për të shtëna me armë zjarri në Bashkinë Klos, ku dhe u raportua për një të plagosur. • Por ngjarja ishte më e rëndë. • Fiqiri Mjeshtri, në debat e sipër kishte vrarë babë e bir, por edhe plagosi dy persona të tjerë që ndodheshin brenda lokalit ku edhe ndodhi përplasja. • Sot, Mjeshtri kishte kërkuar takim me Ilir (Liri) Shirën dhe djalin e tij, Kenadon. • Kjo sepse adoleshenti kishte nisur një histori dashurie me vajzën e autorit të vrasjes. • 17-vjeçari me të mbaruar shkollën kishte shkuar në lokal ku do të takohej me Mjeshtrin dhe të atin, pa e ditur që do të ishte gjëja e fundit që do të bënte. • Në debat e sipër, Fiqiriu ka nxjerrë armën dhe ka nisur të qëllojë, ndërsa adoleshenti ka dalë para plumbave për të mbrojtur të atin. • I mituri ka ndërruar jetë në vend, ndërsa të gjithë banorët e zonës e kanë parë të japë shpirt në vendin ku është qëlluar, pasi ndihma e parë u vonua. Edhe pse tentoi të shpëtonte të atin, ai ndërroi jetë disa minuta pas të birit në spital. • Të plagosur mbetën Eglantin dhe Renato Hasula, pa asnjë lidhje me ngjarjen, të cilët po konsumonin kafe rastësisht në lokal. • Të dy janë sjellë në Tiranë me urgjencë pasi ndodhen në gjendje të rëndë. • Ndërkohë që autori, pasi u largua nga vendi i ngjarjes, vendosi që t’i merrte jetën vetës. Zgjodhi të vetëvritej më mirë se të përballej me drejtësinë. • Por, Policia ka prangosur dy vëllezërit e tij, Besnik dhe Bakir Mjeshtri. Këtë të fundit ndodheshin bashkë me vëllanë e tyre, por nuk bënë asgjë për ta ndaluar gjakderdhjen, që mori jetën e dy personave, e po rrezikon dy të tjerë.
KLOS– Personi që shihni në foton e mëposhtme është Fiqiri Mjeshtri. Pasi ka qëlluar babë e bir, Fiqiri Mjeshtri është larguar nga vendi i ngjarjes me qëllim largimin nga Polici.
Por më pas, ka vendosur që të qëllojë edhe veten larg vendit të ngjarjes. Ndërkohë që në pranga kanë përfunduar edhe dy të afërmit e tij, Bakir dhe Besnik Mjeshtri.
KLOS- Policia ka dhënë detaje në lidhje me masakrën e Klosit. Në njoftim bëhet me dije se arsyeja e ngjarjes është lidhja mes 17-vjeçarit Kenado Shira dhe vajzës së Fiqiri Mjeshtrit, i cili është autori i ngjarjes. Ndërkohë që dy personat e plagosur rastësisht nga ngjarja janë sjellë në spitalin e Traumës për të marrë ndihmë mjekësore.
Reagimi i plotë:
Klos/Informacion paraprak Në qytetin e Klosit, dyshohet se shtetasi F. M., 39 vjeç, në bashkëpunim me dy vëllezërit e tij, ka vrarë me armë zjarri, për motive të dobëta, shtetasin K. Sh., 17 vjeç, si dhe kanë plagosur shtetasit I. Sh., 46 vjeç (babai i 17-vjeçarit), R. H., 14 vjeç dhe E. H., 39 vjeç (babë e bir). Të tre të plagosurit janë transportuar në spital, për ndihmë mjekësore. Si pasojë e plagëve të marra, shtetasi I. Sh. ka humbur jetën në spital.
Shërbimet e Policisë, menjëherë pas marrjes së njoftimit kanë rrethuar zonën, kanë bllokuar hyrje-daljet e qytetit të Klosit dhe kanë ushtruar kontrolle në banesa, lokale dhe në ambiente të tjera. Gjatë kontrollit të zonës, shërbimet e Policisë kapën dhe shoqëruan në ambientet e Policisë, shtetasin F. M., 44 vjeç dhe vëllanë e tij, shtetasin B. M., bashkëpunëtorë në këtë ngjarje. Gjithashtu, gjatë kontrollit të zonës, shërbimet e Policisë kanë gjetur të pajetë, dyshohet të vetëvrarë, autorin kryesor të kësaj ngjarjeje, shtetasin F. M., 39 vjeç. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat, vijon punën për sqarimin dhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.