Nga Elton Qyno
Detaje të reja kanë dalë nga ngjarja e rëndë e vrasjes së tregtarit të naftës, Mondi Mëhalla, në Elbasan. Sipas dosjes hetimore, viktima paraditen e 30 nëntorit 2025 ka qenë në fshatin Synej të Kavajës. Vizita ishte së bashku me bashkëshorten dhe fëmijët, dhe pasi kanë konsumuar drekën në një nga restorantet e zonës, ata janë kthyer pasditen e po asaj dite në Elbasan.
Gazetari Elton Qyno ka mësuar se pas kthimit në qytet, Mondi Mëhalla ka çuar gruan dhe fëmijët në banesën që ndodhet në një pallat afër Gjykatës së Elbasanit, dhe më pas është drejtuar tek biznesi i tij, pika e karburantit “Xhaxhi Oil”, në lagjen “Emin Matraxhiu”.
Pasi ka mbyllur punët financiare ditore, ai ka dalë nga lokali pranë karburantit dhe ka hipur në makinën e tij. Në atë moment një makinë tjetër është afruar me shpejtësi, nga e cila ka zbritur një person i veshur plotësisht me të zeza, i cili e ka qëlluar 6 herë me pistoletë. Mondi Mëhalla ka ndërruar jetë në vend, pa mundur të bëjë asnjë lëvizje.
Autori i dyshuar, një shtetas i huaj i identifikuar si Oliver E., është larguar me “Audin” në pronësi të kompanisë së viktimës. Sipas policisë kriminale, në timon dyshohet se ka qenë Nevzat (Nevi) Spaho nga Prrenjasi, i cili sot u la në masën “arrest me burg” nga Gjykata e Elbasanit.
Sipas dosjes hetimore, i pari që është afruar në vendin e ngjarjes ka qenë punonjësi i lokalit të karburantit “Xhaxhi Oil”, Kujtim Pisha. Ai ka parë makinën e dëmtuar dhe trupin e pajetë të Mondi Mëhallës. Megjithatë nuk ka njoftuar policinë, arsye për të cilën tashmë mbahet në burg për “Moskallëzim të krimit”.
Në dëshminë e tij, Pisha ka deklaruar:
“…Sapo pashë makinën e dëmtuar dhe gjakun në trupin e Mondit, mendova se dikush mund ta kishte goditur me grusht ose me sende të forta. Krismat i konsiderova si fishekzjarrë, por më pas kuptova se Mondi ishte qëlluar me armë. Punonjësja e kompanisë ‘El Taxi’ e njoftoi policinë dhe për këtë arsye nuk telefonova vetë. Unë kam telefonuar vëllain e Mondit dhe ortakun e tij, Xhino Agon…”
Prokuroria, megjithatë, pretendon se mosnjoftimi i tij përbën vepër penale.
Nga pamjet filmike të sekuestruara rezulton se pas vrasjes, ortaku në biznes i viktimës, Xhino Ago, ka dalë nga banesa dhe ka shkuar në vendin e ngjarjes, më pas është shoqëruar në polici për të dhënë shpjegime. Në dëshminë e tij, Ago ka thënë:
“…Isha në shtëpi kur më telefonoi Kujtimi dhe më tha se kanë qëlluar Mondin, me të cilin kam njohje familjare dhe ortakëri në biznes…”
Xhino Ago është arrestuar nga policia dhe prokuroria e Elbasanit vetëm për shkak të moskalimit të pronësisë së makinës “Audi”, e cila i ishte dhënë me të drejtë përdorimi shtetasit nga Lezha, Naldi Gjini. Makina i ishte dhënë me qëllim shitjeje, ndërsa Gjini e mbante me kontratë përdorimi. Pikërisht mungesa e ndryshimit të pronësisë ka bërë që Ago të përfshihet në hetim, duke ngritur dyshime mbi rolin e tij në ngjarje.
Gazetari Elton Qyno ka siguruar edhe deklaratat noteriale të vëllait dhe motrës së viktimës, Aldo Buzhani dhe Brunilda Mëhalla. Aldo Buzhani ka deklaruar:
“…E deklaroj me përgjegjësi morale dhe para autoriteteve se marrëdhënia me Xhino Agon ka qenë dhe është shumë e mirë. Ne e konsiderojmë si vëllain tonë. Kisha dy vëllezër, tani kam një vëlla: Xhinon…”
Ndërsa motra e viktimës, Brunilda Mëhalla, ka pohuar:
“…Unë, Brunilda Mëhalla, deklaroj se Xhino Ago, ortaku i vëllait tim, nuk ka pasur kurrë konflikte me askënd. Marrëdhënia jonë familjare me të është shumë e mirë. Ai është vëllai ynë. S’kemi asgjë kundër tij…”
Ndërkohë, policia kriminale e Elbasanit ka përqendruar të gjitha kërkimet tek shtetasi i huaj Oliver E., i dyshuar si personi që ka qëlluar. Ndërsa “i forti” i Prrenjasit, Nevzat Spaho, dyshohet se ka shërbyer si shofer gjatë krimit, duke njohur mirë zonën e largimit, segmentin Elbasan–Librazhd.
© SYRI.net


