I penduari i drejtësisë për dosjen ‘Plumbi i artë’, Nuredin Dumani vijoi edhe sot dëshminë e tij në GJKKO për serialin e krimeve të kryera në më shumë se një dekadë për llogari të organizatave kriminale të fuqishme dhe për hakmarrje personale, kundrejt pagesave të majme.
Ai ka folur edhe për tentativën e vrasjes së kunatit të motrës së Mir Haxhisë, ku dëshmoi se ishin pjesë Dashnor Dumani, Altin Ndoci dhe që do bëhej me të njëjtën makinë që ishte vrarë Andi Zylyfi.
Madje Dumani shpjegoi se ishin ofruar rreth 100 mijë euro pagesë, ku 60 mijë paund do i merrnin Dashnori dhe Altini dhe pjesën tjetër ai. Dumani bëri edhe batuta me epitetet “Jo Bos” dhe “Big Bos” dhe në atë kohë ai ishte në nivelin e të parit, ku nisej nga 5-100 milionë lekë si kategori që ta kishe ‘titullin’.
“Dashnor Dumani dhe Altin Ndoci do merrnin 60 mijë paund. Unë vetëm do i prisja, nuk e di sa lekë do më jepnin. 10, 15, 20 mijë… Altini do ishte ekzekutor, Dashnori shofer, Besmiri informator, unë do isha pritësi. Unë do e jepja informacionin te Ura e Draxhit. Do merrja këta me makinë. Nga gjendja ekomonike në këtë periudhë isha “Jo Bos”. Bosi fillon nga 5 milionë në 100 milionë, pastaj nis Big Bosi. Altini e kishte zanat ekzekutimin. “Baca” ja dha porosinë Dashnorit. Altinin e propozoi Dashi të ishte pjesëmarrës. Me makinën që u përdor për vrasjen e Andi Zylyfit u tentua dy herë vrasja e personit në fjalë. Ky personi punonte me kamera, montonte kamerat. Kur jam takuar me Bacën ka qenë verë, përpara tentativës”, tha Dumani.
I penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, ka rrëfyer në seancën e radhës ditën e sotme në GJKKO se si realizoi atentatin ndaj Dorian Shkozës pak para shpërthimit të pandemisë, në vitin 2020 në Durrës.
Ai tha se Shkozën e kishte shok të ngushtë dhe i ishin dhënë 100 mijë euro për ta bërë, por nuk ka dhënë motivet. Dumani flet për takimet me Erjon Alibejn, kreun e një prej organizatave kriminale në Elbasan, me të kishte krijuar edhe aleancën, e rrëfyer në seancat e mëparshme gjyqësore.
Në rrëfimin e sotëm doli për herë të parë edhe emri i Florenc Çapjas, një prej krerëve të bandave të Elbasanit, me të njëjtin emër e që tani është i shpallur në kërkim, teksa rezulton se fshihet në Dubai.
Dumani tregoi se Çapjas i kishte marrë hua makinën “Benz” duke i thënë se i duhej për atentat, por pa i treguar emrin e shënjestrës.
“I kam treguar Erjon Alibej që Eljo Bitri do ishte gjuajtësi i Dorjan Shkozës. Eljo Bitri nuk e ka pas takuar Alibejn më përpara. Florenc Çapja më dha makinën që përdora në vrasjen e Dorian Shkozës. Te ‘Bishti Zhurit’ ma dha. Ia kërkova hua. Ishte një “Benz blu” i errët ose i zi. Ishte pa xhama të zinj. I thashë Florenc Çapjas që më duhej makina për atentat, po jo për kë. Ai e pa në televizor ngjarjen kur u gjet makina e djegur. Më shkruajti në aplikacionin Sky Ecc. Me Çapjan kam folur disa herë në Sky. Për herë të fundit kam folur kur u plagos Ardjan Çapja. Pas kësaj ngjarjeje”, tha Dumani.
Më tej ai tregoi edhe rrethanat se si veproi para atentatit në Durrës.
“Gjysmë ore para ngjarjes u ula te një kafe “Kafe Mevlani” rreth 100 metra nga vendi ku u bë vrasja. Ishte dhe Anxhelo Avdia aty, por pastaj iku. Nga kafja, kur del te rruga, duket servisi i Dorian Shkozës. Servisi nga vendndgjarja është rreth 100-200 metra larg. Në krahun e majtë është servisi dhe kafja. Shtëpia ime është afër me servisin e Shkozës. Më tha Asllan Plaku që Dorian Shkoza u shkëput për një moment nga servisi. Me Plakun komunikonim me telefon të thjeshtë. Te vendi i quajtur “Valuta” blemë 3 telefona, Klevisi ose Asllani i bleu, nuk më kujtohet saktë. 200-300 euro i dhashë. Telefonat u blenë në mënyrë që të komunikonim për Dorian Shkozën. Me Henrikun për këtë ngjarje flisja në Sky dhe me Eljon. Eljo dhe Henriku ishin të dy bashkë”, dëshmoi Dumani.