“Shqipëria synon të shtojë bashkëpunimin me Azerbajxhanin në sektorët jetikë si energjia, infrastruktura dhe turizmi, si dhe të kthehet në një vend përfitues të transmetimit të gazit, si dhe do të hapet ambasada e re në Tiranë me këtë shtet”-kjo u theksua sot në takimin e Presidentit të Republikës Sh.T.Z Bajram Begaj me Presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliev, gjatë vizitës së parë të një presidenti azer në Shqipëri.
Diskutimet u fokusuan veçanërisht në nevojën për identifikimin e fushave të interesit të përbashkët dhe rrugët konkrete për thellimin e bashkëpunimit.
Pjesë nga fjala e presidentit Begaj:
Të nderuar miq dhe pjesëmarrës,
Është kënaqësi e veçantë për mua të mirëpres sot Presidentin e Azerbajxhanit, Sh. T. Z. Ilham Aliyev, në vizitën e tij të parë në Tiranë.
Ju falënderoj z. President, për pranimin e ftesës dhe për bisedën miqësore e të frytshme që zhvilluam sot.
Kjo është një vizitë historike për miqësinë tonë, duke qenë hera e parë që Tiranën e viziton një President nga Azerbajxhani.
Vizitat e niveleve të larta janë shprehje e qartë e vullnetit dypalësh për të zhvilluar më tej marrëdhëniet e bashkëpunimit dhe miqësisë mes dy vendeve dhe popujve tanë.
Shpreha vlerësimet më të mira për dialogun e shkëlqyer politik dhe bashkëpunimin e deritanishëm dhe kam bindjen se kjo vizitë e juaja, – zoti President – do t’i japë një shtysë të fuqishme bashkëpunimit në të ardhmen, në fusha me interes të përbashkët.
Viti i ardhshëm shënon edhe 30 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit dhe kjo na jep mundësinë që ta shohim 2023, si vitin kur bashkëpunimi ynë duhet të intensifikohet dhe shënojë zhvillime të reja.
Pranverën e vitit të ardhshëm presim që të zhvillohet Java e Azerbajxhanit në vendin tonë, si një mundësi e mirë për të njohur më mirë dhe më nga afër kulturat e njëri-tjetrit.
Gjithashtu diskutuam mbi propozimin e palës Azerbajxhane për hapjen e Ambasadës në vendin tonë. Ky është një propozim që ne e mirëpresim dhe e vlerësojmë si shenjë të konsolidimit të marrëdhënieve dhe nevojë për të përshpejtuar ritmin e bashkëpunimit si dy vende mike.
Diskutimet tona sot u fokusuan veçanërisht në nevojën për identifikimin e fushave të interesit të përbashkët dhe rrugët konkrete për thellimin e bashkëpunimit.
Biseduam për nevojën e mbajtjes së Komisionit të Përbashkët Ekonomik në vitin 2023, si instrumenti më i mirë politiko-teknik për të vendosur piketat konkrete të bashkëpunimit dhe programuar vazhdimësinë për vitet e ardhshme.