Detaje të reja janë zbuluar rreth vrasjes së biznesmenit grek Kristos Jalias vetëm dy ditë pas ngjarjes, ku po hetohet në disa pista.
Aktualisht po hetohen mosmarrëveshjet që viktima ka pasur me partneren e tij, për zhdukjen e disa milionë eurove.
Ndër të tjera e rëndësishme është dëshmia e një personi që policia ka mbikëqyrje. Ai është miku i viktimës, i cili ka qenë bashkë me viktimën dhe më pas ai e ka ftuar për një pije në shtëpinë e tij.
Unë dhe Kristos e filluam biznesin së bashku. Shkonim në shtëpinë e tij për t’u ulur. U vonova pak, por e ndiqja në një distancë rreth 100 metra. Në një moment humba shikimin për shkak të rrugës dhe kthesave. Kam dëgjuar disa të shtëna. Kur mbërrita në rrugën Agia Aikaterini, pashë makinën e Kristos në flakë. Pranë tij pashë një motoçikletë me motor të madh me dy persona duke u larguar me shpejtësi të madhe. Nga distanca pashë dy persona me motor që po largoheshin. Por, kuptoni, nuk arrita t’ua shoh as fytyrat, as llojin e makinës, as numrin nga targat. Por më dukej se motoçikleta ishte një model i vjetër”, deklaroi shoku i viktimës për policinë.
“Nuk më dëgjuat, pse?”, kjo frazë është dëgjuar në lokacionin ku u ekzekutua biznesmeni dhe më pas iu dogj makina.
Mediat greke shkruajnë se autorët donin të ishin absolutisht të sigurt se 59-vjeçari do të vdiste dhe nuk u ndalën tek breshëria me kallashnikovin por i vunë flakën edhe makinës së biznesmenit gjatë kohës që ishte brenda.
Oficerët që po hetojnë vrasjen do të presin rezultatet e ekzaminimit të kallashnikovit të gjetur në makinë, ndonëse flakët dhe uji i derdhur nga Shërbimi Zjarrfikës ka shumë të ngjarë të mos kenë lënë asnjë provë pas.
Si u ekzekutua biznesmeni?
Dy ditë më parë është ekzekutuar në Athinë Kristos Jalias, një biznesmen i njohur në tregtinë e mishit dhe bojërave. Atentati ndodhi mbrëmjen e së mërkurës në zonën industriale të Athinës e quajtur Mandra, 20 km në veri-perëndim të kryeqytetit të vendit.
Policia njoftoi se ndaj viktimës u qëllua me breshëri kallashnikovi dhe në vazhdim makinës së viktimës iu vu zjarri. Pak metra me tej u gjet e djegur edhe një automjet tjetër, brenda së cilës u gjet një kallashnikov. Dyshohet se automjeti është i autorëve të vrasjes së Jalias.
Kristos Jalias ishte një biznesmen tepër i njohur në Greqi. Ai ishte një ndër tregtarët më të mëdhenj të mishit në Greqi. Ai kishte edhe një fabrike boje si dhe ka qenë president i ekipit të futbollit të Trikallas.
Ai ishte martuar me një grua shqiptare nga Elbasani dhe kishte me të një fëmijë. Bashkëshortja e parë e tij ishte ekzekutuar në mënyrë misterioze në vitin 2018 dhe autorët nuk janë gjendur kurrë.
Emri i Jalas është përfshirë edhe në Shqipëri në disa aktivitete tregtare, import-eksport mallrash tregtie nga vendet e Amerikës latine drejtë Shqipërisë me stacion ndërmjetës Athinën, tregti mishi, boje dhe blerje pronash.
Ai kishte të punësuar më shumë se 4000 punonjës në dhjetëra kompanitë dhe bizneset e tij. Policia thotë se dy janë pistat e hetimit. Ajo e larjes së hesapeve mes bandave të kontrabandës së cigareve që operojnë në zonën e Elefsine ose pista e prishjes së bizneseve me partnerët e tij shqiptare në bizneset që ai kryente me vendin tonë.
Viktima ka qenë ortak jo zyrtar me Thimio Dobroniku, një shtetas shqiptar i ekzekutuar pak muaj më parë në Faliro të Athinës.
Dyshohet se pista kryesore është kontrabanda e cigareve dhe me gjasa autoret janë bandat e gjeorgjianëve që po ekzekutojnë gjithë eksponentët e mafies së trafikut të cigareve kontrabandë në Athinë.
Top Channel