
Victor Osimhen është e ardhmja e futbollit europian pasi jo më kot Napoli pagoi plot 80 milionë euro për ta transferuar në Itali. Sulmuesi afrikan që sot konsiderohet pasardhësi i denjë për të marrë trashëgiminë e Immobile-s në Serie A, ka shënuar 16 gola në 28 ndeshje dhe kjo ka bërë që ai të tërheqë vëmendjen e të mëdhenjve në Premier League me Arsenal në radhën e parë.
Por nëse gjërat sot shkojnë “vaj” për sulmuesin, jeta nuk ka qenë përherë e dashur me të. I rritur në Lagos të Nigerisë, u largua nga Afrika duke lënë pas dhumbjen që i shkaktoi vdekja e mamasë kur ishte në moshë shumë të vogël. Kur babai humbi vendin e punës, Victor dhe pesë vëllezërit e motrat e tij, u detyruan të dilnin në rrugë për të lypur.
Futbollisti që dëshiron të ndjekë gjurmët e Didier Drogba, u rrit me fanellën e Chelseat dhe sulmuesit nga Bregu i Fildishtë duke qëndruar me orë të tëra në kryqëzimet e Lagosit duke ofruar shërbim për të larë xhamat e makinave. “E humba mamanë në tetor por vitin nuk e kujtoj ndërsa tre muaj më pas babai humbi punën. Ishte shumë e vështirë për familjen tonë”, theksonte ai në një intervistë për “France Football” në vitin 2019.
Paratë që fitonin në rrugët e Lagosit ia dorëzonin motrës së madhe që organizonte ekonominë e familjes ndërsa bashkë me shokët shpesh herë kërkonte në plehrat e qytetit për dy atlete të të njëjtës markë në mënyrë që të luante disa orë futboll.
Shumë shpejt nisi të stërvitej në “Ultimate Strikers Academy” ndërsa në vitin 2015 u përzgjodh për të veshur fanellën e 17-vjeçarëve të Nigerisë me të cilët fitoi Kupën e Botës dhe u shpall golashenuesi më i mirë i turneut me 10 realizime. Gjithçka erdhi më pas është një histori e ditur tashmë. Charleroi, Lille dhe më pas Napoli, sot Osimhen mund të krenohet me rrugëtimin e tij fantastik duke dhënë një shembull për miliona fëmijë afrikanë në kërkim të ëndrrës.
