Nga nxjerrja e sekretit shtetëror te organizimi i lojërave të fatit/ Ish-kreu i SHISH në Berat dhe djali i tij vendosen nën akuzë për disa vepra kriminale

0
2

Ish-drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH) në Berat, A.Sh., dhe djali i tij, P.Sh., janë vënë nën akuzë për tre vepra penale nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat.

Të dy po hetohen për disa vepra, të përmendura si më poshtë:

-“Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojrave të fatit në kundërshtim me ligjin”,

-“Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve dhe municionit”,

 

 

-“Tregimi i sekretit shtetëror nga personi që i është besuar”.

Sipas të dhënave zyrtare, hetimet nisën pas informacioneve operative për zhvillim të paligjshëm të lojërave të fatit në një lokal në lagjen “30 Vjetori” në Berat, që drejtohej nga P.Sh. Gjatë kontrolleve në ambientet e lokalit, policia gjeti kompjuterë të ndezur me platforma të ngjashme me ato të “Adex Casino”, që ofronin akses në lojëra fati online përmes aplikacioneve të instaluara dhe lidhjes me internetin.

Gjatë hetimeve, Prokuroria ushtroi kontroll edhe në banesën e A.Sh., ku u zbuluan:

-Një krehër metalik me 5 fishekë kalibri 7.62 mm,

-Tre krehëra të mbushur me nga 7 fishekë secili,

-Dy USB me mbishkrimet “Turbox” dhe “Kingston”, të cilat përmbanin materiale të klasifikuara si “sekret shtetëror”.

Ish-drejtori i SHISH-it, i cili ka lënë detyrën në nëntor 2023, justifikoi praninë e fishekëve duke thënë se i kishte harruar në banesë dhe se i kishte marrë si “suvenir” nga godina e vjetër e ShIK-ut. Ai pretendoi se kishte dorëzuar të gjitha armatimet në momentin e largimit nga detyra.

Megjithatë, verifikimet e Prokurorisë hodhën poshtë pretendimet e tij, pasi u gjetën dokumente zyrtare që vërtetojnë se armatimi ishte dorëzuar tërësisht, ndërsa fishekët në banesë nuk rezultojnë të inventarizuar si pjesë e pajisjeve të kthyera.

Shqetësimi më i madh për hetuesit është përmbajtja e USB-ve, ku sipas ekspertizës, ndodhen dy dokumente të klasifikuara në nivelin “sekret”, që administrohen nga SHISH vetëm në një kopje dhe janë të ndaluara për kopjim ose shumëfishim. Marrja dhe mbajtja e tyre në banesë nga një ish-punonjës i SHISH-it, jashtë çdo procedure zyrtare, përbën shkelje të rëndë të ligjit për informacionin e klasifikuar dhe rrezikon sigurinë kombëtare.

Në përfundim të hetimeve paraprake, Prokuroria e Beratit thekson se ka prova të mjaftueshme për ndjekjen penale të të pandehurve A.Sh. dhe P.Sh. “Rezulton e provuar se i pandehuri A.Sh., gjatë ushtrimit të detyrës si punonjës i SHISH-it, ka kopjuar dhe mbajtur materiale të klasifikuara, duke i përhapur në mënyrë të paautorizuar përmes dy USB-ve që ndodheshin në banesën e tij, në kohën kur nuk ushtronte më asnjë funksion publik,” thuhet në deklaratën e organit të akuzës.

Njoftimi i prokurorisë:

Ish-drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit në Berat, shtetasi A.Sh dhe djali i tij, P.Sh. janë marrë në hetim nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat për veprat penale ‘Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojrave të fatit në kundërshtim me ligjin’, ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit’ dhe ‘Tregimi i sekretit shtetëror nga personi që i është besuar’ parashikuar nga nenet 197/1, 273/3 dhe 294/1 të Kodit Penal.

Sipas Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Berat, nga hetimet mbi procedimin penal nr.370 të vitit 2023, pas informacioneve se në një ambient në lagjen ’30 Vjetori’ në një lokal që drejtohej nga shtetasi P.Sh., po zhvilloheshin lojëra fati, u konstatuan kompjuterat e markave të ndryshme, të ndezura dhe në ekrane shfaqen lojrat online të ngjashme me ato të Adex Casino.

Nga verifikimi teknik, u provua se nëpërmjet një aplikacioni apo software të instaluar në këto paisje elektronike, duke u lidhur në internet, realizoheshin lojëra fati online.
Gjatë hetimeve, u ushtrua kontroll i banesës së shtetasit A.Sh., babait të tij, ku u konstatuan një krëhër metalik ngjyrë bronxi me 5 fishekë, të paplasur të kalibrit 7.62 mm, një çantë dore ngjyrë të zezë brenda të cilës u gjetën 3 krehër, të mbushur secili me nga 7 fishekë të kalibrit 7.62 mm dhe dy USB me mbishkrimet “Turbox” dhe “Kingston”.

Ky shtetas i cili ka ushtruar detyrën si Drejtor i Shërbimit Informativ Berat, shpjegoi se, në nëntor të vitit 2023 është larguar nga detyra dhe ka dorëzuar armatimin por ka harruar të dorëzojë municionin e gjetur në banesë nga shërbimet e policisë. Ai sqaroi se, fishekët e kalibrit 7.62 janë fishek të armëve të vjetra që i ka gjetur të godina e vjetër e ShIK-ut dhe i ka marrë si suvenir dhe i ka harruar në banesë.

Por nga verifikimet e kryera nga prokuroria rezultoi se armatimet ishin kthyer dhe kjo provohej edhe nga fletëhyrja që ndodhet në institucion. Ndërkohë që nga verifikimet e kryera rezultoi se, dy nga materialet e ndodhura në Usb-në me emërtimin “Usb drive” janë të klasifikuara në nivelin “sekret” dhe administrohen në SHISH në kopje të vetme. Kopjimi ose shumëfishimi i tyre është i ndaluar dhe në kundërshtim me aktet që normojnë punën e SHISH.

Marrja e këtyre materialeve në kundërshtim me rregullat e sigurisë së informacionit të klasifikuar, që ka rezultuar me ekspozimin e pjesshëm ose tërësor, në mënyrë të paautorizuar, përbën shkelje të sigurisë së informacionit të klasifikuar.

Në përfundim të hetimeve paraprake, pas analizës në tërësi të të dhënave dhe provave të marra, vijmë në përfundimin se, ka të prova të mjaftueshme se të pandehurit P.Sh dhe A.Sh. kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen. Rezulton përfundimisht e provuar se i pandehuri A. Sh. ka qenë me detyrë punonjës i Shërbimit Informativ të Shtetit dhe ka kopjuar materiale që, sipas ligjit të njohur publikisht, përbëjnë sekret shtetëror, dhe i janë besuar për shkak të detyrës.

Marrja e këtyre materialeve në kundërshtim me rregullat e sigurisë së informacionit të klasifikuar, dhe përhapja e tyre në dy Usb brenda në banesën e të pandehurit, kur ai nuk ushtronte më as detyrën e punonjësit të shërbimit informativ të shtetit, që ka rezultuar me ekspozimin e pjesshëm ose tërësor, në mënyrë të paautorizuar, përbën shkelje të sigurisë së informacionit të klasifikuar.