Nga sot paga minimale 50 mijë lekë, hyri në fuqi edhe rritja e pensioneve, afro 760 mijë përfitues

0
2

Paga minimale në vend, nga sot, do të jetë 50 mijë lekë. Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, paga rritet me 10 mijë lekë. Përfitues, sipas Ministrisë së Ekonomisë, janë 307 mijë punonjës në sektorin publik dhe privat.

“Do të ketë një rritje të lehtë të pagës për një pjesë të punonjësve dhe, normalisht, ka efekte pozitive. Aspekti i dytë, shumë i rëndësishëm, është edhe rritja e të ardhurave në skemën e sigurimeve shoqërore; presim një përmirësim të skemës së pensioneve”, shprehet Klodian Muço, ekspert për ekonominë.

Për 9 muajt e parë, qeveria do të mbulojë kostot e rritura për bizneset nga rritja e pagës minimale.

“Paga minimale, në një farë mënyre, është edhe një formë për të formalizuar pjesën e ekonomisë. Një pjesë e kompanive kanë tendencën të përdorin dy bilance për të mbajtur paga minimale, por realisht nuk paguajnë me paga minimale. Kështu që kjo ndihmon edhe në formalizimin e ekonomisë.”

Nga sot nis edhe rritja e përmuajshme e pensioneve, nga e cila përfitojnë rreth 760 mijë pensionistë, të ndarë sipas kategorive.

“Një ndër shtresat më vulnerabël të shoqërisë janë pensionistët; sot që flasim janë rreth 112 mijë pensionistë që marrin pension minimal.”

Pensioni urban me vite të plota pune do të rritet me 1 mijë e 800 lekë; pensioni urban i pjesshëm do të rritet me 800 lekë; pensioni rural do të rritet me 1 mijë lekë; pensioni familjar do të rritet me 700 lekë; pensioni i invaliditetit do të rritet me 600 lekë.

/vizionplus.tv