Ka rënë në prangat e policisë së Tiranës farmacisti që ngacmoi seksualisht një grua që kërkonte të abortonte.
Në një njoftim zyrtar, policia sqaron se farmacisti Hysni Roci 53 vjeç u arrestua për akuzat e kontrabandë me mallra të tjera, tregtim dhe transportim i mallrave kontrabandë dhe fshehje të të ardhurave.
Njoftimi i policisë:
Tiranë
Në lidhje me rastin e transmetuar në emisionin investigativ “Stop”, që bënte fjalë për një shtetas (farmacist) që tregtonte barna të kontrabanduara, ju sqarojmë se:
Shërbimet e Seksionit të Hetimit të Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Tiranë, menjëherë pas publikimit të pamjeve filmike, organizuan punën për kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasit që shfaqet në video.
Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare arrestuan shtetasin:
– H. R., 53 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave kontrabandë” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë falënderon mediat dhe qytetarët që denoncojnë rastet e paligjshmërisë dhe i fton sërish ata që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie, në numrin 112, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm e të paanshëm.