Punonjësit e policisë të cilët dolën pozitiv në testin e drogës në laboratorin privat, ende nuk i janë nënshtruar fazës së dytë të testimit të dytë që do të mbahet në laboratorët shtetërorë. Edhe pse marrëveshja mes dy institucioneve është firmosur prej tre javësh, çështjet proceduriale kanë penguar rifillim e ekzaminimeve toksikologjike, ç’ka mund të ndikojë dhe në rezultatin e testeve për policët që kanë rezultuar si përdorues të lëndëve narkotike.
45 punonjësit e policisë së shtetit të cilët kanë dalë pozitiv në testin e drogës në fazën e parë të testimit ende nuk janë nënshtruar testit të dytë, i cili do të kryhet tashmë tek instituti i mjekësisë ligjore. Edhe pse marrëveshja mes institucionit të policisë dhe institutit të mjekësisë ligjorë është nënshkruar që më 1 mars, prej tre javësh procedurat ende nuk kanë filluar duke i mbajtur të pezulluar 45 efektivat.
Por kjo vonesë mund të ndikojë edhe tek rezultati i testimeve të dyta të cilat mund të hedhin poshtë ato të kryera në laboratorin privat, duke i nxjerrë të pastër policët që kanë rezultuar fillimisht si përdorues të lëndëve narkotike.
Burime pranë policisë së shtetit bëjnë më dije se procesi i fazës së dytë të testimit ka hasur vonesa për shkak të çështjeve proceduriale, por edhe nga hetimet që po ndjek drejtoria e standarteve në lidhje me 45 punonjësit që kanë rezultuar pozitivë.
Testi i dytë që do të kryhet do të jetë rezultative për fatin e çdo punonjësi të policisë, pasi në analizën e parë të nënshtruar shumë prej tyre e kanë kundërshtuar laboratorin privat në përgjigjet e marra.
Me 15 nëntor të vitit të shkuar policia e shtetit ka vijuar me ekzaminimin e punonjësve të Policisë së Shtetit, të cilët gjatë karrierës dyshohen për përdorimin e lëndëve narkotike.
Deri me 24 shkurt janë ekzaminuar 1736 punonjës policie, kryesisht nga sektorë dhe mosha me risk, nga të cilët 45 kanë rezultuar të dyshuar pozitivë. E ndërsa vetëm 1 punonjës policie është përjashtuar nga radhët e policisë.