Autoritetet janë vënë në lëvizje pas një denoncimi të bërë nga një gjyshe në Durrës, e cila ka raportuar se ish-nusja e saj kishte lënë vetëm tre fëmijët e mitur në apartamentin ku banonin. Fëmijët janë gjetur të vetëm në banesë, në kushte të rënda higjienike dhe pa ushqim prej tre ditësh. Ata janë transportuar menjëherë në spitalin e Durrësit për ekzaminime mjekësore, ku është konstatuar se të tre janë të infektuar me zgjebe.
Po sipas burimeve, fëmijët nuk kishin frekuentuar shkollën prej rreth një muaji. Aktualisht ata ndodhen në ambientet e spitalit, bashkë me nënën e tyre 33-vjeçare, e cila është marrë në pyetje nga policia.
33-vjeçarja është e divorcuar prej rreth pesë vitesh dhe dyshohet se prej kohësh ka pasur konflikte me ish-vjehrrën lidhur me kujdestarinë e fëmijëve. Shërbimet sociale pritet të ndërhyjnë për heqjen e kujdestarisë, megjithëse ende nuk ka një vendim apo deklaratë zyrtare nga institucionet përkatëse.
Në deklarimin e saj, nëna ka mohuar akuzat për braktisje, duke pretenduar se situata është pasojë e kushteve të vështira ekonomike dhe e një konflikti familjar. Ajo ka deklaruar se punon si banakiere, me një pagë prej rreth 400 mijë lekësh në muaj, nga të cilat 300 mijë i shkojnë për qira, dhe se është e detyruar t’i lërë fëmijët së bashku kur shkon në punë.
Sipas saj, denoncimi është një “kurth” i ish-vjehrrës, e cila, siç pretendon ajo, ka hyrë pa leje në banesë dhe ka denoncuar rastin në polici. Nëna ka theksuar se babai i fëmijëve ka qenë i burgosur në Itali për pesë vite dhe aktualisht kontribuon me një shumë minimale mujore për fëmijët.
Ndërkohë, policia dhe shërbimet sociale po vijojnë verifikimet për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore dhe masat që do të merren për mbrojtjen e të miturve.


