Xhemile Kapari ishte dëshmitarja e parë e ngjarjes tragjike në Maliq, e cila dha ndihmën e parë për vajzën e mitur, e cila ndodhet në gjendje të rëndë në QSUT.
“Unë dola të hidhja plehrat, edhe ajo vajza qante në oborr. Shkoj atje dhe shoh, ajo dukej sikur ishte futur në kazan, e tëra e nxirë. Thërras komshiun lart dhe i them: ‘Hajde shpejt, shiko çfarë ka ndodhur’. Më dridhej trupi, nuk shikoja dot. Kur vajtëm, komshiu tha: ‘Kjo është e djegur! Si ka mundësi, është në mes të oborrit’.
Hapëm derën me këmbë. Djali ishte i shtrirë barkas, me këmbë dhe krahë hapur. Thashë ka vdekur. Nuk e dinim që edhe nëna ishte brenda e gjeti policia dhe zjarrfikësja.
Vajtëm dhe ngritëm vajzën, ishte një kuvertë atje jashtë dhe e mbështollëm. Asaj i binin flokët dhe kishte plagë nga djegiet. Ata ishin me autizëm vajza nuk fliste, as nuk ecte, ndërsa djali ecte por nuk fliste.
Djali ishte i vdekur që në korridor, ndërsa vajza po qëndronte ulur. Nëna ishte brenda. Kishin vështirësi ekonomike, me dy të sëmurë në shtëpi kempi, 200 mijë lekë nuk u mjaftonin. I ndihmonim dhe i flisnim të ëmës, se ishin dy, një s’e mban dot, jo më dy të sëmurë. Ndihmohej, por me aq lekë sa merrnin, as për pampersa nuk u dilnin. Djalin e çonte në një qendër, ndërsa vajzën jo.”