Nis aktiviteti tregtar i HEC-it të Moglicës/ Zhvillim i rëndësishëm në fuqizimin e sistemit elektro-energjetik në Shqipëri

0
321

HEC i Moglicës, hidrocentrali më i madh në projektin hidroenergjetik të Devollit, nisi aktivitetin tregtar duke shënuar kështu një tjetër zhvillim të rëndësishëm në fuqizimin e sistemit elektroenergjetik në Shqipëri.

Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ishin sot në HEC-in e Moglicës, diga e të cilit, me një lartësi prej rreth 167 metra, është një nga më të lartat në botë në llojin e vet.

“Fuqizimi i mëtejshëm i sistemit shqiptar të energjisë do të vijojë me Skavicën, vepra madhore e mbetur në sirtar prej më shumë se gjysmë shekulli, e cila do të nisë të ndërtohet vitin e ardhshëm pas përfundimit këtë vit të projektit të detajuar inxhinierik”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.

Rama theksoi se edhe drejtuesit e kompanisë kanë vlerësuar se në Shqipëri janë ndjerë më mirë se në shumë vende të tjera nga pikëpamja e seriozitetit, shpejtësisë dhe transparencës së qeverisë.

“Më vjen mirë që jeni të kënaqur me bashkëpunimin. Kemi pasur probleme për të zgjidhur dhe për të lehtësuar gjithë procesin. Ju e mbani mend shumë mirë se ka pasur një sërë hallesh të mëdha për projektin, në radhë të parë, ndërtimi i rrugës edhe një sërë çështjesh të tjera. Më vjen shumë mirë që e kam dëgjuar edhe nga drejtuesit e kompanisë që përkundër perceptimit, në Shqipëri janë ndjerë më mirë se në shumë vende të tjera nga pikëpamja e seriozitetit, shpejtësisë dhe transparencës së qeverisë”, tha Rama.

Ditën e sotme përmbyllet faza e testimeve të projektit të Moglicës dhe fillon një fazë e re, ajo e gjenerimit të energjisë nga burime të rinovueshme.

Për realizimin e këtij projekti ka qenë jo vetëm ekspertiza shumëvjeçare e kompanisë “Statkraft”, por edhe mbështetja e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, pasi një vepër e tillë madhore kërkon angazhim duke nisur nga fazat e para e deri në fazën e përfundimit.

Projekti është në respekt të gjithë standardeve ndërkombëtare si në fazën ndërtimore, edhe në fazën e mbështetjes sociale për komunitetin. Ka qenë gjithmonë një investim paralel, jo vetëm për HEC-in, por edhe masa mbështetëse që i është dhënë komunitetit.

Diga e Moglicës në vetvete është ndër më të lartat në botë në llojin e saj, me bërthamë asfalti, 167 metra i gjatë. Ajo ka një rezervuar prej afërsisht 375 milionë metër kub ujë dhe sfida në vetëvete ka qenë pikërisht gjeologjia e këtij mjedisi, ndaj dhe për ekspertizën  që duhej u përfshinë ekspertë nga më tepër se 23 kombësi. Punimet kanë filluar në 2015-n.

Sipas drejtorit të komanduar të projektit, për të ardhur në Moglicë kalohet HEC-i i Banjës, pjesë e projektit të Devollit, që është rreth gjysma e lartësisë së Moglicës.

“Diga e Moglicës është dyfish sa ajo e Banjës me 167 m në lartësi. Ndryshimi teknik është që kjo është digë me bërthamë asfalti dhe mbushje materiali vendi, kjo është karateristike, ndaj ka arritur në këtë lartësi. Shkarkuesi i sipërm i digës që operohet në raste emergjente ka një gjatësi deri në 320 metra deri në pjesën e shkarkimit të poshtëm. Rezervuari në nivelin e plotë është rreth 360 milionë metër kub ujë, ndërsa ai i Banjës është 400 milionë si volum total”, tha ai.

Sipas tij, “paralelisht me projektin teknik janë ndërtuar edhe 21 shtëpi zëvendësuese në Maliq, rrugë që rilidhin fshatrat e prekura nga projekti i Devollit, si dhe 540 ha pyje që janë duke u mbjellë si pasojë e ndërtimit të Moglicës”.

“Në pikun e punimeve në HEC-in e Moglicës kemi pasur mbi 2500 të punësuar, 2200 prej të cilëve shqiptarë”, tha ai.

Centrali i Moglicës do ta marrë ujin nëpërmjet një tuneli rreth 10.7 km të gjatë nga rezervuari i Moglicës. HEC Moglicë do të përdorë dy njësi të mëdha turbinash francis. Kapaciteti i instaluar është planifikuar prej 184 MW me një prodhim mesatar vjetor prej rreth 450 GWh.

Fuqizimi i mëtejshëm i sistemit shqiptar të energjisë do të vijojë me Skavicën, vepra madhore e mbetur në sirtar prej më shumë se gjysëm shekulli, e cila do të nisë të ndërtohet vitin e ardhshëm pas përfundimit këtë vit të projektit të detajuar inxhinierik.