Në një lidhje skype me Fax News, meterologu i Meteoalb Hakil Osmani ka bërë parashikimin e kushteve të motit, për këto ditë të para të muajit Janar. Sipas tij e gjithë kjo javë do të karakterizohet nga reshje shiu dhe bore në zonat malore, si dhe nga temperaturat e ulëta, që do të jenë tipike të stinës.
Sa i takon erës, sipas Osmanit pritet që në fundjavë të ketë një rritje të forcës së saj, çka bën që të mos përjashtohet mundësia e probleme në porte dhe në udhëtimin detar.
“Kemi pasur reshje dëbore më së shumti në verilindje dhe juglindje. Java në vijim do të jetë në kushte të paqendrueshme, me prezencë të madhe të reshjeve të shiut, dhe reshje të pakta dëbore në zonat malore. Temperaturat do të kenë një rritje të lehtë gjatë ditës së nesërme në pjesën e parë të ditës, ndërsa vlerat minimale do të pësojnë një rënie. Vlerat maksimale mund të zbresin gjatë kësaj jave deri në 10 gradë celsius.
Temperaturat do të luhaten nga minus 4 gradë celsius në 10 gradë. Në fundjavë do të ketë sërish shfaqje të reshjeve të dëborës, kryesisht në zonat malore. Do të ketë një përmirësim të kushteve gjatë ditës së shtunë, për ti lënë sërish vendin reshjeve gjatë ditës së dielë”, u shpreh Osmani