Nis puna për “Defender 2023”, Peleshi: Shqipëria vend pritës i stërvitjes më të madhe

0
168

Shqipëria ka nisur punën për të pritur sërish një nga stërvitjet më të mëdha “Defender 2023”. Për këtë u organizua edhe Konferenca koordinuese, ku morën pjesë Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, Gjeneralmajor Bajram Begaj, ambasadorja e SHBA në Tiranë Yuri Kim si dhe përfaqësues të lartë ushtarakë të SHBA dhe Shqipërisë.

Në fjalën e tij, me këtë rast ministri Peleshi e cilësoi një histori suksesi stërvitjen “Defender 2021”, e cila u zhvillua disa muaj më parë.

“Kjo stërvitje shkon përtej gjithë dimensionit ushtarak dhe konfirmoj përfshirjen dhe gatishmërinë e të gjithë qeverisë për të ndihmuar dhe lehtësuar të gjitha kërkesat specifike dhe të përgjithshme për ekzekutimin e saj të shpejtë. Stërvitje të tilla me shikueshmëri të lartë tregojnë rëndësinë strategjike të Politikës së Zgjeruar të Parandalimit të SHBA-së për NATO-n dhe aleatët dhe partnerët e saj evropianë si  dhe rithekson angazhimin e fortë që Aleanca, dhe në veçanti Shtetet e Bashkuara, i kushtojnë rajonit tonë. “Defender Europe” për ne, mbetet një mjet i fuqishëm i komunikimit strategjik i paqes, sigurisë, stabilitetit dhe garancisë për qytetarët tanë, vendet e rajonit dhe mbarë Evropën”, u shpreh Ministri i Mbrojtjes

Teksa siguroi mbështetjen dhe ndihmën maksimale të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FA për stërvitjen e radhës Defender 23, ministri Peleshi tha se Shqipëria konfirmoi gatishmërinë të shërbejë sërish si vend pritës për serinë e Defender.

Ndërsa në fjalën e tij, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneral Bajram Begaj u shpreh i sigurt se “Defender Europe ‘23”, përmes aktiviteteve dhe demonstrimit të aftësive të saj do t’u japë kundërshtarëve një mesazh të qartë dhe të fortë parandalimi dhe mbrojtjeje”. /Abcnews