Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, njoftoi sot hapjen zyrtare të regjistrimeve online për klasat e para dhe të dhjeta në portalin e-Albania.
Prindërit dhe nxënësit mund të kryejnë regjistrimin nga data 7 korrik deri më 31 gusht, duke eliminuar nevojën për paraqitje fizike në shkolla dhe duke garantuar një proces më efikas.
“Regjistrimet online për klasat e para dhe të dhjeta hapen sot, më 7 korrik, në #eAlbania. Sistemi do të qëndrojë i hapur deri më 31 gusht, duke u dhënë mundësi të gjithë prindërve të regjistrojnë fëmijët e tyre në kohën më të përshtatshme për ta”, bëri me dije, Ministrja Manastirliu
Përmes këtij shërbimi elektronik, qytetarët përfitojnë nga një proces i thjeshtuar, pa kosto shtesë dhe pa vonesa. Regjistrimi mund të kryhet lehtësisht nga çdo pajisje që ka akses në internet, duke hyrë në llogarinë personale në www.e-albania.al dhe duke ndjekur hapat e udhëzuara në shërbimin përkatës për regjistrimin e nxënësve të klasës së parë dhe të dhjetë.