Nisja e mësimit plotësues në të gjithë shkollat e vendit, Evis Kushi thirrje për nxënësit: Shfrytëzojeni këtë mundësi, do t’ju ndihmojë të nisni vitin shkollor me njohuri të rikuperuara

0
175

Sot nis mësimi plotësues në shkollat e vendit. Ky proces është parë si i domosdoshëm për shkak të gjendjes së pandemisë vitin e kaluar duke bërë që pjesa më e madhe e nxënësve në qytetet me risk të lartë, të bënin mësimin online. Mësimi plotësues çoi në shtyrjen e nisjes zyrtare të procesit mësimor për vitin shkollor 2021-2022.

Ministrja e Arsimit Sportit dhe Rinisë Evsi Kushi, në një postim në rrjetin e saj social Facebook, ka bërë thirrje që nxënësit të përfitojnë nga ky proces i mësimit plotësues për të nisur vitin e ri shkollor sa më të përgatitur.

Postimi i Plotë i ministres Evis Kushi

Të dashur nxënës,
Nesër të gjitha shkollat janë gati për mësimin plotësues, i cili u vlerësua nga ekspertët, mësuesit dhe prindërit si një nevojë, sidomos për nxënësit në zonat e riskut në kohën e kulmit të pandemisë, ku mësimi online zgjati më shumë se në zonat e tjera të vendit.

Për këtë periudhë shkollat tuaja kanë përgatitur një program gjithëpërfshirës, që përveç përsëritjes apo përforcimit të njohurive, përmban edhe aktivitete argëtuese dhe sportive. Prandaj shfrytëzojeni këtë mundësi sepse kjo do t’ju ndihmojë që të jeni sa më të përgatitur dhe ta nisni vitin e ri shkollor me njohuri të rikuperuara, e mbi të gjitha, me dëshirë e pasion për të mësuar akoma më shumë.

Të dashur prindër dhe mësues,
Puna, bashkëpunimi dhe solidariteti juaj na kanë ndihmuar shumë në punën tonë të përbashkët përgjatë vitit të vështirë që kaluam. Do të kërkoja nga ju që të tregonit të njëjtin përkushtim edhe në këtë periudhë të mësimit plotësues, që së bashku të bëjmë më të mirën për fëmijët tanë.

Së fundmi, dua t’ju rikujtoj të gjithëve që të mos harroni kujdesin dhe vëmendjen ndaj rregullave anti-COVID, për të ruajtur shëndetin dhe të afërmit tuaj.
Suksese të gjithëve!

Fax