Një nismë e re ka nisur të zbatohet nëpër shkolla për të sensibilizuar në respektimin e sinjalistikës rrugore. Lajmin e ka bërë me dije kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjete sociale. Rama shkruan se po punohet me partneritete dhe programe ndërgjegjësuese e formuese, me 304 institucione arsimore publike e private.
“Shkollë më shkollë për të mësuar rregullat dhe sinjalistikën e qarkullimit rrugor, që fëmijët të jenë të sigurt si këmbësorë e pedalues biçiklete sot, po edhe si shoferë nesër. Viti 2021: 19.9% më pak aksidente rrugore, 18.8% më pak qytetarë të përfshirë në aksidente, 7.5% më pak fatalitete nga aksidentet, 14.8% më pak aksidente shkaktuar nga sjellja e drejtuesit të mjetit, 37% ulje e indeksit të vdekshmërisë për 10,000 mjete! Domethënëse është ulja me 43% e probabilitetit që një drejtues mjeti i sapopatentuar të përfshihet në aksident rrugor”, shkruan Rama.
Deri në vitin 2030 Rama shkruan se kanë si objektiv uljen e vdekjeve nga aksidentet rrugore me 50%.
“Automotorizimi Shqiptar (DPSHTRR) po punon me partneritete dhe programe ndërgjegjësuese e formuese, me 304 institucione arsimore publike e private, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Shtetit, Ministrinë e Arsimit, Kryqin e Kuq, Klubin Shqiptar të Automobilit dhe Autoritetin Rrugor Shqiptar për Edukimin mbi Trafikun dhe Sigurinë Rrugore, për moshat nën 18 vjeç, me objektiv Planin Global të OKB, OBSH e FIA për uljen e fataliteteve nga aksidentet rrugore me 50% deri në vitin 2030”.
/abcnews.al