Një javë pa gjurmë, babai dhe vëllai i Jurgenit lutje për Edi Ramën: Të shtohen forcat e kërkimit, duam djalin

0
2

Jurgen Karaj, 30 vjeçari që ishte pasagjer në makinën që ra në përroin e fshatit Dars në Klos, vijon të jetë i zhdukur prej një jave. Prej ditësh, polumbarët e forcave speciale RENEA dhe ekipet e ushtrisë vazhdojnë kërkimet, por nuk kanë mundur ta gjejnë të riun.

Babai i tij, Shaban Karaj, dhe vëllai, Endrin Karaj, kërkojnë shtimin e forcave dhe mjeteve për vijimin e operacionit të kërkimit, duke theksuar se zbardhjen e ngjarjes ia kanë lënë drejtësisë dhe presin vetëm gjetjen e familjarit të tyre.

“Kërkoj vetëm të më gjejnë vëllanë dhe të ma sjellin në shtëpi. Zbardhjen e ngjarjes le ta bëjë policia. Dua ta di ku e kam, ta varros. Kanë kaluar 9 ditë dhe nuk kemi asnjë shenjë prej tij. I bëj thirrje kryeministrit që të angazhohen më shumë forca për kërkimin”, shprehet vëllai i Jurgen Karajt.

Jurgen Karaj dyshohet se është marrë nga rrjedha e përroit të fshatit Dars, duke përfunduar në lumin Mat, dhe deri në këto momente nuk është bërë e mundur gjetja e trupit të 30-vjeçarit.

Një javë pa gjurmë, babai dhe vëllai i Jurgenit lutje

Jurgen Karaj, 30 vjeçari i zhdukur

Në operacionin e kërkimit janë të angazhuar polumbarët e RENEA-s, Forcat Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër (FNSH), Forca e Posaçme “Shqiponja”, e Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, përfaqësues të Forcave të Armatosura, si dhe forca vullnetare.

Rreth orës 01:30 të datës 10 Janar, është marrë informacion se në vendin e quajtur ura e fshatit Dars, njësia administrative Klos, një mjet tip “Audi” me targa angleze kishte dalë nga rruga dhe për pasojë kishte rënë në përroin e fshatit Dars.

Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe shërbimi zjarrfikës. Nga veprimet e shpejta u bë i mundur identifikimi i drejtuesit të mjetit, shtetasit Andi Losha, 24 vjeç, banues në fshatin Fullqet, Klos.

Po nga veprimet dyshohet se në automjet ka qenë edhe një pasagjer, shtetasi Jurgen Karaj, 30 vjeç, banues në fshatin Fullqet, të cilin dyshohet se e ka marrë rrjedha e përroit.

Një javë pa gjurmë, babai dhe vëllai i Jurgenit lutje

“Audi” me targa angleze ra në përrua në fshatin Dars

Menjëherë, autoritetet janë vënë në lëvizje për të zbardhur rrethanat e aksidentit dhe për të gjetur dy të rinjtë që udhëtonin me Audi. Pas disa orësh, shërbimet e Policisë kanë mundur të gjejnë shoferin 24 vjeçar dhe e kanë arrestuar.

Andi Losha akuzohet se pas aksidentit, është larguar nga vendngjarja dhe nuk i ka dhënë ndihmë pasagjerit, 30 vjeçarit Jurgen Karaj, i cili tanimë rezulton i zhdukur.

Ky shtetas iu nënshtrua dhe testit të alkoolit pas ndalimit dhe rezultoi se e drejtonte mjetin në gjendje të dehur, në momentin kur ka ndodhur aksidenti, në orën 01:30 të mëngjesit të datës 10 Janar.