SARANDË- Një 61-vjeçar nga Saranda është arrestuar pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj vajzës së tij. Policia thotë se autori është identifikuar shtetasi me iniciale V.S. Grupi hetimor ka nisur hetimet, ndërsa ka marrë në pyetje vajzën, e cila pretendon se është dhunuar nga babai i saj.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë shtetasin V. S., 61 vjeç, banues në Sarandë, pasi dyshohet se pas një konflikti për motive të dobëta, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj vajzës së tij 24 vjeçe”, njofton Policia.
Por, ky nuk është rast i izoluar i dhunës në Sarandë. Një 56-vjeçar ka ushtruar dhunë ndaj vëllait si dhe e ka mbajtur mbyllur në zyrë pa dëshirën e tij.
“Po nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë u referuan materialet në Prokurori dhe u shpall në kërkim shtetasi T. B., 56 vjeç, banues në Sarandë, pasi ditën e djeshme, në lagjen nr.4, Sarandë, për motive të dobëta, ka ushtruar dhunë fizike ndaj vëllait të tij dhe e ka mbajtur atë për një kohë të shkurtër, në zyrë, pa dëshirën e tij. Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, thuhet në raportin policor./n.m.abcnews.al