Ambasada italiane në Shqipëri ka reaguar lidhur me çështjen e njohjes së patentave të emigrantëve shqiptarë në Itali. Ambasada shkruan se marrëveshja ka hyrë në fuqi, ndërsa po punohet për zgjidhjen e disa problemeve teknike.
“Lidhur me Marrëveshjen mbi patentat, e cila ka hyrë në fuqi më 12 korrik, ju informojmë se janë duke u kryer verifikime për të zgjidhur disa probleme teknike për të bërë të mundur që të interesuarit të mund të paraqisin sa më shpejt kërkesë për konvertimin e patentave të tyre.”, shkruan Ambasada në Twitter.
Më 12 mars, ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka u takua në Itali me homologun, Luigi di Maio ku edhe u arrit në parim marrëveshja për njohjen e patentave.
Akti u konkretizua një javë më pas në Tiranë me firmosjen e marrëveshjes me ambasadorin italian, Fabrizio Bucci e prej atëherë procesi vijon të zvarritet dhe teksa kanë kaluar më shumë se 4 muaj nga firmosja e marrëveshjes, çështja e njohjes së patentave të emigrantëve shqiptarë në Itali vijon të mbetet pezull.
a2