“Nuk e lëmë me kaq, na iku djali”, familjarët e 25-vjeçarit në Vlorë: I zunë pritë, kishte edhe djem të rritur me makina

0
350

Të shokuar nga humbja e djalit, familjarë të 25-vjeçarit Aleksandër Petanaj shprehen se sulmi ka qenë i mirëmenduar.

Djali i xhaxhait të viktimës, G.P thotë se Aleksandrit i është zënë pritë në pyllin e Sodës ndërsa kthehej në shtëpi nga puna në mobileri.

15-vjeçari, G.T, që e ka goditur me thikë mësohet se ka qenë shok klase me të vëllain e Aleksandrit, por siç tregon djali i xhaxhait të viktimës, me të kanë qenë edhe djem të tjerë të rritur me makina.

“Aleksandri po kthehej natën nga Vlora me biçikletë. Kishte qenë në punë në mobileri. Në pyll të Sodës i kanë bërë pritë. Kanë qenë rreth 10-15 vetë me dy makina. Pasi e kanë sharë dhe goditur disa herë, e kanë qëlluar me thikë. Ai që e qëlloi është shok klase me vëllain e Aleksandrit. Janë zënë edhe më parë,  por gjëra fëmijësh. Ndoshta kanë dashur ta trembin, nuk e dimë. Jemi në një lagje me atë që është arrestuar, Gabrielin. Por me Gabrielin kanë qenë edhe djem të tjerë, të rritur, me makina”.

Dhimbjen e kanë të freskët ndaj edhe ai deklaron.

“Ne nuk e lëmë me kaq. Na iku djali. Aleksandri nuk ngacmonte njeri, punonte gjithë ditën në mobilieri”. 

Edhe i ati i viktimës në gjendje shoku për humbjen e të birit thotë se ai nuk i binte në qafë njeriu.

“Nuk di çfarë të them, nuk e besoj. Djali nuk është kap ndonjëherë me njeri”.

Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, 18 qershor.

Aleksandër Petanaj, u qëllua me thikë nga 15-vjeçari, G.T, ku mbeti i plagosur rëndë.

Ai u dërgua me urgjencë në spitalin e Vlorës, ku pas mbi 4 orë në sallën e operacionit nuk arriti të shpëtojë dhe ndërroi jetë.

I riu kishte marrë plagë në trup dhe një afër zemrës që rezultoi fatale për jetën.

Disa orë më pas, policia arriti të identifikojë dhe arrestojë autorin e dyshuar të identifikuar me incialet G. T.

15-vjeçari pritet të merret në pyetje në vijim në funksion të sqarimit të shkaqeve dhe rrethanave të sherrit që përgjaku Vlorën.

/Ora News.tv/