Nuk i dha përparësi këmbësores në rrugë, gjobitet ministri i Drejtësisë në Poloni

0
2

Ministri i Drejtësisë i Polonisë u ndëshkua me gjobë sepse refuzoi t’i jepte përparësi një gruaje që po përpiqej të kalonte rrugën, ndërkohë që po jepte një intervistë duke drejtuar makinën e tij, vetëm disa ditë para se të njoftonte një kuadër më të rreptë për luftimin e shkeljeve rrugore.

Në pamjet e regjistruara gjatë intervistës së tij me një vlogger polak, Valdemar Zurek duket i shpërqendruar dhe nuk i jep përparësi një gruaje që tenton të kalojë rrugën në një kalim për këmbësorë.

Në video, në skajin e majtë të ekranit shihet një grua që përgatitet të kalojë, ndërsa makina troket mbi vijat e kalimit. Fillimisht ministri ngadalëson, por më pas vazhdon rrugën e tij. Sikleti është i dukshëm për disa sekonda në fytyrën e vloggerit dhe bashkudhëtarit të ministrit të Drejtësisë.

“Pas analizës së të dhënave të mbledhura gjatë procedurës për këtë shkelje rrugore, policia arriti në përfundimin se është kryer një shkelje ligjore,” njoftoi sot policia e Krakovit në llogarinë e saj në X.

Policia shtoi se “Ministri Valdemar Zurek pranoi të heqë imunitetin e tij dhe të paguajë gjobën e vendosur,” por shuma e saktë nuk është bërë e ditur.

Ministri, i cili mban edhe postin e Prokurorit të Përgjithshëm, përballet me një gjobë prej 1.500 zloty (rreth 350 euro) dhe humbjen e 15 pikëve nga 20 në total në lejen e drejtimit të tij.

“Asnjë nuk është mbi ligjin. Kjo vlen edhe për mua,” pranoi ai në deklaratën e tij për agjencinë polake të lajmeve PAP.

Vitën e kaluar, Polonia, një vend me 37,3 milion banorë, regjistroi 1.651 viktima nga aksidentet rrugore, një shifër e ulur me 13% krahasuar me vitin e mëparshëm.