Vijon që prej mëngjesit të sotëm komunikimi i masave të sigurisë për të arrestuar nga SPAK dy ditë më parë në kuadër të operacionit “Plumbi i artë”.
Të parit që iu komunikua ishte Nuredin Dumani, i cili ndodhet në spital për shkak të plagëve të marra në fund të muajit mars gjatë një atentati të dështuar ndaj tij.
Ndërkohë që policia po dërgonte të arrestuarit në GJKKO për marrjen e masës së sigurisë mësohet të ketë ngatërruar njërin prej tyre. Bëhet fjalë pikërisht për Iliarjan Feçin, i cili nuk është dërguar në ambientet e gjykatës, por në vend të tij është çuar një person tjetër.
Gazetari Ermal Vija bën me dije se policia e burgjeve ka dërguar një tjetër person me emrin Iliarjan Feçi në gjykatë dhe jo atë të akuzuar në kuadër të operacionit “Plumbi i artë”.
Pasi kanë mësuar këtë fakt, gjykatësit kanë urdhëruar kthimin e personit të ngatërruar në ambientet e burgut dhe marrjen e Ilirjan Feçit të vërtetë, të cilit do t’i komunikohet masat e sigurisë pasi të mbarojnë me të tjerët. /abcnews.al