“Nuk ka asnjë ndryshim nga Zvicra e Austria”/ Rama vlerëson me medalje 4 investitorë për ngritjen e bujtinave në Vermosh: Ndërtuan një mrekulli

0
913

Kryeministri Edi Rama vlerësoi me medaljen e posaçme të Kryeministrit 4 banorë të zonës për transformimin e Vermoshit në një pikë turistike të Veriut.

Rama zhvilloi një vizite në Vermosh, ku po zhvillohet një tjetër destinacion i mrekullueshëm turistik i Veriut të Shqipërisë dhe ku kanë nisur investime të bukura, me pjesëmarrjen e emigrantëve nga zona, po edhe nga qeveria që përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit ka transformuar disa rrënoja të së shkuarës, në një Qendër të Re Turistike, simotër me qendrën shembullore të Valbonës

“Nikë Kulla, Pllumb Demaj, Dodë Lucaj e Niko Maraçaj, të kthyer nga emigracioni, që me dashuri të madhe e punë mbresëlënëse kanë realizuar vizionin e katër bujtinave alpine, të cilat duken si kartolina të gjalla nga Zvicra dhe japin shembullin kuptimplotë të perspektivës së padiskutueshme që ka ky thesar i natyrës shqiptare, për t’u kthyer në burim të ardhurash e punësimi dinjitoz nga turizmi malor”, shprehet Rama.

“Diçka e thjeshtë me një shije të jashtëzakonshme, që vendos një standard. Asnjë ndryshime nga ajo çfarë ka në Zvicër apo Austri. Shumë faleminderit. Jam aq i lumtur nga kënaqësia që më ka dhënë ky investim këtu, që në fakt fillimisht e pashë në disa materiale që më çuan si informacion nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, gjatë kohës që po ndërtonin qendrën e re turistike të Vermoshit dhe nuk besova që ishte reale. Mu duk si një shaka, pastaj mora Toninin dhe i çova fotot e i thashë. Po tha, janë katër djemtë tanë të Kelmendit dhe me thënë të drejtën për ta shprehur këtë kënaqësi që buron nga mirënjohja e madhe për faktin që keni bërë një një investim këtu, që natyrisht është i juaji privat, por është një shembull i jashtëzakonshëm i vizionit për të parë larg”,- tha Rama.

“Shembull i jashtëzakonshëm i respektit për traditën e kthyer në një objekt, katër në fakt, por janë të katërta njësoj, që të cilat janë bashkëkohore, por që mishërojnë të gjitha elementët e traditës. Është një element frymëzues për atë që  do jetë nesër për këtë zonë dhe për të gjitha ato zona malore, ku turizmi ka nisur të marri frymë, por që do të zhvillohet gjithnjë e më shumë dhe natyrshëm, pak më pas se çfarë ka fillua të zhvillohet turizmi bregdetarë që është dhe më i thjeshtë në shumë aspekte”,- shtoi Kryeministri.

“Është dhe një shembull domethënës e kuptimplotë dhe për qeverisjen vendore për të qenë kërkues në të gjithë parametrat që kanë të bëjnë jo thjeshtë me rregullat bazë, por dhe me estetikën, shijen, që është magneti kryesorë në tërheqjen e vizitorëve, turistëve. Më vjen shumë mirë që më jepet kjo mundësi, që shumë simbolikisht t’ju bëjë një vlerësim që jo vetëm ju takon, por dhe që shpresoj të shihet dhe të nxisë dhe të tjerë që jo vetëm të vijnë ta shohin, por dhe të ecin në këto gjurmë pasi ju keni hapur një kapitull të ri këtu”,- tha Rama.

“Ju keni bërë dhe investime të tjera kohët e fundit. Unë e di shumë mirë që do ketë dhe të tjera, pasi ka interes të madh dhe nga ata që janë në emigracion për të investuar këtu paratë e kursyera. Por ju keni vënë një gur të rëndësishëm themeli për një vizion tjetër. Natyra këtu s’ka asgjë mangët nga natyra e bukur nga destinacionet më të famshme e turizmit malor në Europë. Dhe s’kemi pse ta ulim standardin, dhe s’kemi pse ta zvogëlojmë fuqinë tërheqëse të natyrës, duke bërë shpenzime që e kanë kosto, por nuk kanë aty atë që është e domosdoshme, që ju e keni 100%. Për këtë arsye kam ardhur sot që ta shoh këtë mrekulli nga afër dhe t’ju jap një simbol modest që është një medalje për merita të veçanta, të cilën për hir të së vërtetës e kemi dhënë vetëm njëherë dhe e kemi dhënë për forcat e kërkim shpëtimit që erdhën në Shqipëri menjëherë pas tragjedisë së 26 nëntorit të shkuar dhe me thënë të drejtën e meritoni plotësisht dhe ju jam shumë mirënjohës që ma jepni këtë mundësi. Ju keni qenë të katërt emigrant, qysh prej viteve 90’. Dhe për këtë jeni një shembull se kush ka vullnetin për të rezistuar fiton në çdo aspekt shumë më tepër se sa të ishte në emigracion. Me shumë kënaqësi me lejoni t’ju jap këto medalje”,- theksoi Rama.