Punonjësit e incineratorit të Elbasanit kanë dalë në protestë për të dytën ditë me radhë për pagat e prapambetura.
Dhjetëra punonjës të sektorit të riciklimit thonë se po vuajnë për bukën e gojës, pasi vijnë nga familje me probleme të thella ekonomike dhe prej dy muajsh nuk kanë marrë pagë.
Ata thotë se administratori i firmës u tha dje të ndërprisnin protestën sot do t’u kalonte pagën por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
U thamë dje dhe na morën në telefon se rrogat do të hyjnë. Nuk erdhën, se më vjen mesazh. Dje nuk punuam, na tha nëse do dilni në grevë ditë pune nuk ka. I thashë nuk dua ditë punë. As sot jo derisa të marr pagën. Unë jam te landfilli, ka dy muaj që është ndërprerë puna. Ne jemi punëtorë, duam bukë për kalamajtë, rrogat” tha një prej protestuesve.
“Paga duhet të kalojë me datë 5 por gjithmonë me 20-25 ka kaluar. Kur nuk kemi thirrur gazetarët na bënin presion. Në shtator bëj 3 vjet. Ka 2 vjet e ca që kemi probleme”.
“Nuk kemi punën me politikën, duam pagën.Na morën në telefon ndërpritni protestën se do tu hyjë rroga, për dje. U larguam, nuk erdhi mesazhi. Na mashtruan. Nëse nuk na fusin pagën do vazhdojmë protestën. Me një rrogë jam vetë i pestë. Jemi 30-40 punëtorë që protestojmë. Të na japin rrogën në datë të caktuar, nuk dime çfarë date kemi.”
“Na thanë dje do hyjnë dhe na gënjyen. Erdhi tani dhe nuk tha as mirëmëngjes. Na bënë presion do tu heqim nga puna. Kemi hyrë në hasmëri me bashkinë dhe me firmën. Jam me një rrogë, me kredi”.
Punëtorët kanë bllokuar edhe hyrjen për në incinerator. Ata thonë se nuk do të lejojnë makinat që sjellin mbetjet të futen brenda.