Pedagogët vijojnë prej dy javësh bojkotin e mësimit në universitete, pasi qeveria nuk ka plotësuar kërkesat e tyre, mes të cilave rritja e pagave për të dhe stafin ndihmës si dhe rritja e financimit për kërkimin shkencor.
Duket se ata nuk janë tërhequr nga “beteja” e tyre pasi ditën e sotme ata kanë paralajmëruar se do të nisin një grevë urie. Ndërkaq ditën e hënë në orën 11:00, do të mbajnë edhe protestën e radhës kombëtare. Paralajmerimi u dha nga Sandër Kovaçi, kreu i sindikatës së pedagogëve.
“Duke qenë në këto kushte kur nuk ka pasur reagim deri tani, erdhëm në fazën e një bojkoti të deritanishëm, dhe tani i kemi dërguar kërkesë qeverisë, dhe të krijojë urën e komunikimit.
Nuk duam të përdorim variantin e fundit, atë të grevës, por mund të përdoret për të ushtruar presionin e duhur mbi autoritetet për të reaguar në mënyrë konstruktive dhe ta kuptojnë rëndësinë e këtij bojkoti”– tha Kovaçi.
Ata kanë kërkuar edhe sensibilizmin e përfaqësuesve të huaj në lidhje me situratën ku ndodhet sot arsimi i lartë publik.