Tekniku brazilian i Kombëtares shqiptare, Sylvinho, shpjegoi në një konferencë për mediat listën e publikuar për dy ndeshjet e para Kualifikuese të Botërorit 2026.
Ai u ndal te lojtarët e lënë jashtë, ku u vu re mungesa e Mario Mitajt, i cili u dëmtua menjëherë pasi u rikthye në fushë.
Braziliani tha se Mitaj do t’i nënshtrohet një operacioni, teksa theksoi dhe lojtarët e tjerë të dëmtuar, Bare, Hysaj dhe Daku.
“Katër lojtarë fatkeqësisht për shkak dëmtimi nuk janë gati dhe do na mungojnë. Mitaj është jashtë prej një muaji e gjysmë. U rikthye në fushë dhe u dëmtua sërish. Do t’i nënshtrohet operacionit. I dyti është Keidi Bare, i cili ka problem në pulpë. Me Hysajn kam folur vetë, mund të jetë gati pas pauzës së kombëtares. Daku gjithashtu vuan nga dëmtimi dhe do të jetë jashtë”, tha ndër të tjera Sylvinho.