Nxënësit nuk preferojnë shkollat profesionale

0
173

Pavarësisht fushatave të ndryshme, që nxënësit në Maqedoninë e Veriut të drejtohen nga shkollat profesionale, pjesa më e madhe e tyre preferojnë që shkollimin e mesëm ta vazhdojnë në gjimnazet e përgjithshme, ndonëse mjekësia mbetet drejtimi i preferuar.

Sipas konkursit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, për regjistrimin e nxënësve në shkollat e mesme publike, që ka filluar më 14 qershor, ka 30.053 vende të lira në 109 shkolla të mesme në Maqedoninë e Veriut.

Ndërkaq, për shkollat e mesme profesionale janë 19.602 vende të lira.

Për t’i motivuar të rinjtë që të regjistrohen në shkolla profesionale, gjatë këtij muaji, Ministria e Arsimit njoftoi se do të ndajë bursa në vlerë prej 3.500 denarësh (rreth 55 euro) për nxënësit që do të orientohen për mësimin e zanateve dhe duke u mundësuar angazhim në kompani të ndryshme, që të realizojnë mësimin praktik.

Fiona Ahmeti, e cila të hënën dorëzoi dokumentet për regjistrim në gjimnazin në gjuhën shqipe “Zef Lush Marku” në Shkup, tha për Radion Evropa e Lirë se ka zgjedhur që të regjistrohet në këtë shkollë, pasi sipas saj, një gjë e tillë, do t’i hapë dyer për shumë drejtime në studimet bachelor.

“Po, erdha këtu të dorëzoj dokumentet, besoj se më pranojnë. Ide e kisha edhe (drejtimin) mjekësinë, edhe prindërit më thanë se do të ishte mirë të shkoja në shkollën e mesme të mjekësisë, por nuk munda të vendos se çfarë saktësisht dua të punoj në të ardhmen… dhe mendoj se gjimnazi më jep më shumë mundësi për të vazhduar pastaj në fakultet”, tha ajo.

Interesimi për regjistrim në gjimnazet e përgjithshme ka bërë që ende pa filluar regjistrimi, të plotësohet pjesa më e madhe e vendeve të lira.

“Gjimnazi ynë, aty ku jam profesor, ka një numër jashtëzakonisht të madh të nxënësve. Prej 300 deri në 500 nxënës regjistrohen çdo vit në këtë shkollë. Mendoj se gjimnazi i përgjithshëm, si shkollë, duhet të akomodojë vetëm ata nxënës që nuk do të ndaljnë me përfundimin e arsimit të mesëm, por synojnë të vazhdojnë studimet”, tha për Radion Evropa e Lirë, Naser Miftari, profesor në gjimnazin “Zef Lush Marku”.

Mungesë e hidraulikëve, elektricistëve, saldatorëve…
Ndërkaq, në tregun e punës, gjithnjë e më shumë kërkohen teknikë të makinave, ata të ndërtimit, elektricistë, saldatorë, hidraulikë, kuzhinierë e punëtorë të profesioneve të tjera.

Por, paga e ulët në këto profesione dekurajon të rinjtë që të orientohen nga shkollat e zanatit, andaj ata preferojnë që të punësohen në administratë.

Lupço Kuzmanovski, mjeshtër i hidraulikës, thotë se e ka shumë të vështirë që të gjejë të rinj që duan të punojnë këtë profesion.

“Të rinjtë, tashmë e kanë të qartë se sado që të jesh mjeshtër i mirë, në këtë vend nuk mund të sigurosh një jetë të mirë. Askush nuk është pasuruar si mjeshtër, ndërkohë që të gjithë të rinjtë ëndërrojnë për një jetë më të mirë dhe duke qenë të vetëdijshëm për këtë, shmangin shkollat profesionale, ku do të mund të përvetësonin shkathtësi për një profesion të caktuar. Në tregun e punës gjithnjë e më pak kemi mjeshtër, të cilët dinë ta bëjnë punën e tyre. Kjo strategji e gabuar e shtetit do të na kushtojë shumë”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Lupço Kuzmanovski.

Që nga shkolla fillore “nxënësit të mësojnë zanate”
Trajan Angellkovski, pronar i një kompanie të përpunimit të metalit, që njëherësh është edhe nënkryetar i Odës Industriale, thotë se nxënësit, që nga shkolla fillore, duhet të orientohen në drejtime, ku do të mësonin ndonjë zanat specifik.

“Në mënyrë konstante kërkojmë nga Ministria e Arsimit që në mënyrë sistematike të zgjidhë çështjen e orientimit të të rinjve në shkolla profesionale. Kjo nuk duhet të lihet në vullnetin e lirë të nxënësve dhe prindërve të tyre se në cilën shkollë të vazhdojnë mësimet, por në mënyrë strikte të përcaktohen kuotat se sa nxënës mund të shkojnë në shkollat e përgjithshme dhe sa të orientohen në shkollat e zanatit. Shteti duhet ta shohë se për cilat profile ka nevojë dhe në atë drejtim t’i orientojë politikat zhvillimore të arsimit. Ja, shembull, mua më duhen punëtorë të kualifikuar si mekanikë metalesh, por nuk i gjej dot”, thotë Angellkovski.

Në këtë drejtim, ministrja e Arsimit, Milla Carovska është zotuar se ministria që udhëheqë, po angazhohet në drejtim të krijimit të një komunikimi funksional ndërmjet nxënësve që vijojnë mësimin në shkollat e mesme profesionale dhe kompanive që kërkojnë punëtorë, në mënyrë që të dyja palët të kenë përfitime të ndërsjella.