Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj u shpreh se, “në një vit kaq të vështirë ekonomik si 2020, dy treguesit e rëndësishëm fiskalë, deficiti dhe borxhi publik, janë të sigurtë”.
Gjatë një interviste televizive, Denaj theksoi se, “referuar shifrave të INSTAT, në 3-mujorin e tretë të 2020, treguesi i borxhit publik edhe recesioni i ekonomisë për vitin 2020 mendojmë që do të jenë në parametra më të zbutur sesa pesimizmi që kishim parashikuar. Ku konkretisht borxhi publik për vitin 2020 nga 80,4 % e PPB-së, që e kishim parashikuar, rezultoi në nivelin 77.9 %”.
Denaj tha se, “kriza nga pandemia, nuk është larguar. Por arritëm të menaxhojmë financat publike në mënyrë pozitive dhe patëm një recesion ekonomik, që nuk u materializua në nivelin më negativ të parashikuar”.
Sipas saj, nevojat për të ndihmuar apo për të adresuar mbështetje sektoriale, nuk do të mungojnë në të ardhmen afatmesme apo më tej. “Ne kalojmë nga një trajtim universal, në faktin sesi mund të ndihmojmë në aspektin sektorial”, theksoi ministrja.
Denaj solli në vëmendje adresimin që i është bërë biznesit dhe qytetarëve me të dy paketat, që siç tha ajo, “ka qenë një adresim universal në kohën e mbylljes ekonomike”.
“Adresimi universal ka qenë në raport me skemat që janë pjesë e rimëkëmbjes ekonomike ku bëjnë pjesë edhe lehtësitë e barrës fiskale për biznesin. Tatimfitimi 0 % për biznesin e vogël, rritja e pragut të TVSH-së, janë dy masa fiskale, nga të cilat përfitojnë mbi 90 % e bizneseve dhe vërtetë do t’i mungojnë buxhetit të shtetit 50 milionë USD në vit, nga këto masa, por ama mbështesin zhvillimin e biznesit”, deklaroi ajo.
Gjithashtu informoi Denaj, kemi ndërmarrë edhe 3 skema për nxitjen e punësimit dhe skema për informalitetin, që janë brenda një pakete për rimëkëmbjen dhe do të vijojmë me mbështetjen e sektorëve.
“Rritja e borxhit ka shkuar për mbështetjen buxhetore dhe për çdo deficit që krijohet si rezultat i uljes së të ardhurave. Në vitin e kaluar kishim një ulje të konsiderueshme të të ardhurave, që nuk do të materializohet këtë vit nëse i gjithë projeksioni i rritjes ekonomike do të vijë në ato parametra që parashikojmë. Ndërkohë që situatën e ndjekim hap pas hapi, pasi pandemia është prezente dhe ka ndikim në ekonomi, por në situatën kur rritja ekonomike ndikohet nga situata e pandemisë, e cila nuk duket se po largohet, në fillim të këtij viti do të marrim masat tona”, u shpreh ministrja.
Denaj theksoi se, “ndryshimet në buxhtin e shtetit nuk kanë prekur parametrat fiskalë. Ne synojmë nxitjen e konsumit përmes investimeve publike në rritje, që këtë vit janë më të larta se vitet e shkuara, por edhe si rezultat i një ekonomie që do të gjenerojë më tepër mundësi punësimi dhe rritje të ekonomisë”.
Lidhur me taksimin e biznesit, ajo tha se, “në raport me taksën e sheshtë 10 % që ishte para 2013, flasim për gati 97 % të shqiptarëve që sot paguajnë më pak me taksën progresive”.
“Kur flasim për taksim mbi kapitalin apo elementë të tjerë të lidhur me të, pra jo për pagat, kanë një tatim mbi 15 %”, tha Denaj.
“Ndërkohë, ulja e taksimit për dividentin diskutohet si një politikë që mbështet të pasurit, por ndërkohë ulja e taksimit të dividentit ka mbështetur jo vetëm rritjen e të ardhurave në buxhetin e shtetit, por edhe riinvestimin. “Ulja e taksimit të dividentit nga 15 % në 8 % do të sjellë punësim dhe rritje ekonomike”, tha ajo. /j.p/r.e/