Nxorën në shitje mandarinat e kthyera nga Kroacia me pesticide, tre të arrestuar në Berat

0
2

Tre persona kanë përfunduar në prangat e policisë së Beratit, mes tyre dhe 1 inspektor i Drejtorisë Rajonale të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve.

Mësohet se është arrestuar fermeri i cili prodhoi 10 tonë mandarina me pesticide, eksportuesi që i eksportoi në Kroaci dhe pas kthimit i shiti në tregun vendas. Gjithashtu, inspektori shpërdoroi detyrën, duke i lëshuar subjektit të 56-vjeçarit, certifikatë fitosanitare fiktive.

Njoftimi i Policisë:

Si rezultat i një hetimi tremujor, me objektiv goditjen e rasteve të mashtrimit me produkte ushqimore, si dhe mbrojtjen e konsumatorëve, Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Prokurorinë e Beratit, finalizoi operacionin policor të koduar “Injeksioni”.

Prodhoi dhe çoi për shitje 10 tonë fruta (mandarina) me përmbajtje të lartë pesticidi, arrestohet 46-vjeçari (fermer).

Në pranga dhe një 56-vjeçar që magazinoi frutat, i eksportoi ato në Kroaci dhe pas kthimit nga shteti kroat, i shiti në tregun vendas.

Gjithashtu në pranga, 1 inspektor i Drejtorisë Rajonale të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, i cili shpërdoroi detyrën, duke i lëshuar subjektit të 56-vjeçarit, certifikatë fitosanitare fiktive.

Gjatë operacionit policor të koduar “Injeksioni”, u vunë në pranga shtetasit E. T., 46 vjeç, A. D., 56 vjeç dhe E. T., 30 vjeç.

Nga hetimet rezultoi se fermeri, shtetasi E. T., 46 vjeç, kishte prodhuar dhe kishte çuar për magazinim, te subjekti i shtetasi A. D., në fshatin Goriçan, 10 tonë fruta (mandarina). Sasia e frutave ishte eksportuar nga shtetasi A. D., në Kroaci, ku nga analizat ka rezultuar me përmbajtje të lartë të pesticidit Phosmet. Për këtë shkak, sasia është kthyer nga shteti kroat dhe është shitur në tregun shqiptar, nga shtetasi A. D.. Ndërkaq, dyshohet se shtetasi E. T., 30 vjeç, me detyrë inspektor i Drejtorisë Rajonale të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, ka lëshuar certifikatë fitosanitare fiktive, për subjektin në administrim të shtetasit A. D., si dhe për subjekte të tjera./abcnews.al