OKB pezulloi Rusinë nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut, Rama: Refuzim i fortë për krimet në luftë

0
100

Një refuzim i fortë ndaj krimeve mizore të luftës në Ukrainë e ka cilësuar kryeministri Edi Rama pezullimin e Rusisë nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut.

“Pezullimi i Rusisë nga Human Rights Council në OKB refuzim i fortë për të pranuar shkeljen brutale të çdo lirie e të drejte dhe krimet mizore të luftës në Ukrainë. Rreshtimi i Serbisë përsëri me Perëndimin në këtë përshkallëzim të ri kundër agresionit rus, lajm i mirë për rajonin”!

Një reagim përmes një postimi në Twitter, ka bërë dhe ministrja për Punët e Jashtme, Olta Xhaçka. Xhaçka shkruan se kjo ka treguar neverinë që bota ndjen ndaj krimeve mizore të luftës të Rusisë në Ukrainë.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka pezulluar Rusinë nga Këshilli për të Drejta të Njeriut, pas raportimeve “për shkelje sistematike dhe abuzim të të drejtave të njeriut”, nga trupat ruse që kanë pushtuar Ukrainën. Kjo kërkesë e shtyrë nga Shtetet e Bashkuara është miratuar me 93 vota për, 24 kundër dhe 58 shtete kanë abstenuar.

Për pezullimin e Rusisë janë nevojitur dy të tretat e shumicës. Pezullimet e tilla janë të rralla. Libia është pezulluar më 2011 për shkak të dhunës kundër protestuesve nga forcat besnike të ish-liderit, Muammar Gaddafi. Serbia ishte një prej vendeve që votoi pro, dhe ky sipas Ramës është një lajm i mirë për rajonin.

/abcnews.al