Operacion në Londër, kapet shqiptari që pagoi Leart Haxhiun për ekzekutimin e Bashaliut (EMRI)

0
2

Autoritetet britanike, në bashkëpunim me Interpol Tiranën dhe Njësinë e të Kërkuarve në NCA, kanë vënë në pranga Lorenc Lalën, 47 vjeç, një person i lidhur ngushtë me emrin e njohur të botës së krimit, Laert Haxhiu.

Sipas dokumenteve zyrtare të gjykatës britanike të ekstradimeve, Lalës i është caktuar masa e paraburgimit për shkak të rrezikshmërisë së tij dhe për dyshimet e përfshirjes në një organizatë kriminale. Ai do të dalë sërish para trupit gjykues më 24 Qershor.

Prokuroria shqiptare e akuzon Lalën për komplot në organizimin e një vrasjeje, konkretisht për atentatin ndaj Albi Bashaliut, ngjarje e ndodhur në fshatin Gjocaj të Peqinit. Sipas hetimeve, kjo vrasje është porositur për një shumë prej 50 mijë eurosh.

Burime nga hetimi bëjnë me dije se pagesa është bërë nga Lorenc Lala, i njohur edhe me emrin Kristian, ndërsa organizimin e vrasjes e ka marrë përsipër Laert Haxhiu, i cili ka angazhuar një grup ekzekutorësh, raporton Top Channel.

Në rrëfimin e dhënë nga bashkëpunëtori i drejtësisë, Artan Tafani, thuhet se vrasja është realizuar nga ai vetë, në bashkëpunim me Lulzim Arapin, Bledar Berberin, Enrico Xhahysën dhe vetë Haxhiun.