OPERACIONI I RENEAS/ Kapen dy ushtarët e Vis Martinajt, lidhja e tyre me eleminimin e Indrit Dokles

0
3

Forcat Operacionale RENEA kanë zhvilluar mëngjesin e kësaj të premte një operacion të befasishëm në zonën e Bajratit në Dobraç të Shkodrës dhe në Fushë-Kuqe të Kurbinit ku janë arrestuar dy persona të njohur si ushtarët e Vis Martinajt.

Dy të arrestuarit janë, Alket Xhixha, dhe Elvin Merlika të dy të shpallur në kërkim pasi ndaj tyre ishte caktuar masa “Arrest me burg”, për veprat penale:

– Sigurimi i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje, në bashkëpunim të posaçëm të grupit kriminal;

– Grup i strukturuar kriminal;

– Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale.

Policia njoftoi se dy personat e lartpërmednur janë arrestuar në zonën e Fushë-Kuqes pranë lumit, në një banesë të braktisur, ku gjatë kontrollit, janë gjetur dhe skuestruar 2 armë zjarri tip pistoletë brenda në çanta marsup, si dhe 2 armë gjahu, bashkë me municion luftarak, pa leje. Po gjatë kontrollit u gjetën edhe 2 radio ndërlidhëse si ato të policisë dhe një jelek antiplumb.

OPERACIONI I RENEAS/ Kapen dy ushtarët e Vis Martinajt, lidhja e tyre me

Alket Xhixha dhe Elvin Merlika

Po kush është Elvin Merlika? Lidhja me Indrit Doklen

Elvin Merlika dyshohet si pjesë e grupit kriminal që planifikoi vrasjen e Indrit Dokles. Ai akuzohet për veprat penale të: “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit Indrit Dokle, kryer në bashkëpunimin e posaçëm të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, si dhe personave të lidhur me të.

Në janar të këtij viti SPAK bëri kërkesën për konfiskim të pasurive të Merlikës dhe tetë personave të lidhur me të. Sipas SPAK pasuritë e sekuestruara të tij janë të pajustifikuara nga burime të ligjshme dhe për pasojë prezumohet se janë rezultat i veprimtarisë kriminale të personave të hetuar dhe të personave të lidhur me ta. Ndaj SPAK kërkoi konfiskimin e 20 pronave, nga hoteli, apartamente tek makinat luksoze.

Kush është Alket Xhixha?

Alket Xhixha është i njohur si një ndër ushtarët e Ervis Martinajt ndërsa është vëllai i Besian Xhixhës, i arrestuar për vrasjen e vëllezërve Haxhia në Durrës, ngjarje e ndodhur në mars të 2020-ës.

Sipas dëshmisë së Dumanit, Alket Xhixha ka qenë ‘ura’ lidhëse mes tij dhe Ervis Martinajt. Xhixha ka komunikuar me Dumanin duke e njoftuar për ftesën që Martinaj i kishte bërë për ta takuar. Martinaj është nisur drejt Kosovës së bashku me Alket Xhixhën dhe Elvin Merlikën për të takuar Dumanin.

Dumani ka treguar se Martinaj i ka premtuar se do e ndihmonte për çështjen e gjyqeve që kishte me shtetin dhe operacionet e policisë që organizoheshin për kapjen e tij.

Çfarë thotë Policia?

“Gjatë operacionit me shkallë të lartë rrezikshmërie, në një terren të vështirë në zonën e Fushë-Kuqes pranë lumit, në një banesë, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale bënë të mundur identifikimin, lokalizimin dhe ndalimin e dy shtetasve me rrezikshmëri të lartë shoqërore, konkretisht:

A. Xh., 42 vjeç, banues në Fushë-Krujë, dhe
E. M., 47 vjeç, banues në Mamurras, të shpallur në kërkim, pasi GJKKO ka caktuar ndaj tyre masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale:

“Sigurimi i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje, në bashkëpunim të posaçëm të grupit kriminal”;

“Grup i strukturuar kriminal”;

“Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.

Gjatë kontrollit, forcat e posaçme operacionale gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2 armë zjarri tip pistoletë brenda në çanta marsup, si dhe 2 armë gjahu, bashkë me municion luftarak, pa leje.

Po gjatë kontrollit u gjetën edhe 2 radio ndërlidhëse si ato të policisë dhe një jelek antiplumb”,– thuhet në njoftim.