Operacioni për kapjen e një të kërkuari në Dibër, plagosen dy efektivë të “Shqiponjave”, njëri prej tyre përfundon te ‘Trauma’

0
2

Dy policë të forcave shqiponja mbeten të plagosur gjatë një operacioni për kapjen e një personi në kërkim.

Dyshohet se oficeri i policisë Gentjan Meda ka rënë nga një lartësi gjatë kapje së një të kërkuari, duke pësuar goditje në kokë dhe është transportuar me helikopter drejt ‘Traumës’ në Tiranë, ndërsa kolegu i tij, shtetasi me iniciale B.Gj ka thyer këmbën.

Si ndodhi ngjarja?

Personi i shpallur në kërkim ndërkombëtar, Klodian Llomi (Mazari), ka tentuar të ikë nga vendngjarja, ndërsa efektivët u hodhën mbi një mur për ta kapur, por mbetën të lënduar.

Përpjekjet e forcave “Shqiponja” u shpërblyen me arrestimin e të kërkuarit, i cili rezulton i dënuar me 6 vjet e 7 muaj burg për veprat penale “Organizatë kriminale”, “Trafikim i lëndëve narkotike” dhe “Shfrytëzim prostitucioni”.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Vendimi”, për kapjen e një shtetasi të shpallur në kërkim.

Ekzekutohet vendimi i Gjykatës së Apelit për 35 vjeçarin, për vuajtjen e dënimit me 6 vite, 7 muaj e 2 ditë burg të mbetur, për veprat penale “Organizatë kriminale”, “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Trafikim i lëndëve narkotike”, vepra të kryera në Itali.

Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si dhe për kapjen e personave të shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, bazuar edhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore për një shtetas të kërkuar, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, në bashkëpunim me Forcat e Posaçme “Shqiponja” të DVP Dibër, në orët e para të mëngjesit të sotëm, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Vendimi”.

Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe të koordinuara, në Maqellarë u bë kapja dhe arrestimi i shtetasit Klodian Llomi (Mazari)., 35 vjeç, banues në fshatin Kërçisht, Maqellarë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Apelit, ka njohur dënimin e Gjykatës së Apelit të Romës në Itali, ku ka për të vuajtur dënimin e mbetur 6 vite, 7 muaj e 2 ditë burg për veprat penale “Organizatë kriminale”, “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Trafikim i lëndëve narkotike”.

Ndërkohë, gjatë zhvillimit të këtij operacioni, një punonjës policie i Forcës së Posaçme “Shqiponja”, inspektor G.M., gjatë kapjes së personit në kërkim është rrëzuar nga një mur rrethues, duke pësuar dëmtime trupore.
Punonjësi i policisë është transportuar me helikopter në drejtim të Tiranës, për ndihmë mjekësore më të specializuar.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.

Ardit Murataj