Për të blerë një automjet, apartament, apo çdo mall e shërbim tjetër të kushtueshëm, shqiptarët mund të paguajnë “në dorë” të gjithë shumën, pavarësisht se sa e lartë mund të jetë ajo. Por nga viti 2026 kjo nuk do të jetë më e mundur, shkruan A2 CNN. Qeveria ka vendosur të kufizojë pagesat “cash”, me qëllim uljen e përdorimit masiv të parasë fizike në vend.
- Burimi i parave “cash”, nëse një individ ka një të ardhur 80 mijë lek në muaj dhe shpenzon 200 mijë lek në muaj, pra jashtë burimit të ligjshëm, logjikisht që këtë diferencë e ka të krijuar nga burime të paligjshme
- Ministria e Financave
Duke ndjekur rekomandimet e Komisionit Europian, Shoqata e Bankave rekomandon vendosjen e një tavani për pagesat “cash”, në vlerën e jo më shumë se 750 eurove. Në planin e veprimit 2024-2027 të Ministrisë së Financave (printscreen) thuhet gjithashtu dhe se do të ulet tavani që ekziston aktualisht për bizneset që është në vlerën 150 mijë lekë.
“Nisma që ka të bëjë me formalizimin e pagesave është e mirëpritur, por duhet të jetë e mirë-menduar. Ka ardhur realisht koha që edhe ne të bëjmë si vendet e tjera”, thotë për A2 CNN Bora Feri, eksperte e sistemit të pagesave.
Në ekonominë shqiptare qarkullojnë aktualisht rreth 1.71 trilionë lekë, nga të cilat mbi 402 miliardë apo gati 24 për qind e totalit, jashtë sistemit bankar.
Ekspertë të sistemit të pagesave vlerësojnë se caktimi i këtij tavani nga njëra anë do të ulte sasinë e parave jashtë bankave e nga tjetra do të ndihmonte qytetarët në veçanti dhe ekonominë në përgjithësi. “Përfitimet janë në drejtim të sigurisë, po ashtu edhe të uljes së informalitetit. Gjithashtu rritet konkurrenca e ndershme dhe eliminohet korrupsioni”, thotë Feri.
Burime nga Ministria e Financave pohojnë ndërkohë se bashkë Bankën e Shqipërisë dhe Shoqatën e Bankave, do të ngrihet një grup pune për të ulur komisionet që aplikohen gjatë pagesave me kartë. Kështu pritet që të rritet ndjeshëm numri i terminaleve të pagesave, që aktualisht është në rreth 19 mijë nga 120 mijë biznese që ka vendi. (A2 Televizion)