Një influencues udhëtimesh ka tërhequr vëmendjen në rrjet pasi pagoi 13,980 dollarë për të fluturuar në një nga suitat e klasit të parë të Singapore Airlines, duke e cilësuar përvojën si “bileta më e shtrenjtë që kam blerë ndonjëherë”.
I njohur në YouTube si @LoungeGuru, ai ka lindur në Kanada dhe jeton në Dubai, ku punon në marketing ndërsa paralelisht krijon përmbajtje për udhëtime. Në videon e publikuar, e cila ka arritur mbi 10 milionë shikime, influencuesi sqaroi se biletën e kishte paguar me para në dorë, pa përdorur një pikë shpërblimi.
Fluturimi u realizua me avionin A380 dhe përfshinte një suitë private me derë rrëshqitëse. Siç shihet në video, një asistente fluturimi e shoqëroi fillimisht drejt suitës në katin e sipërm të avionit, ndërsa më pas iu ofruan pije të ndryshme, pizhame luksoze, një set për kujdesin e lëkurës dhe kufje Band & Olufsen.
Influencuesi zgjodhi një menu luksoze, të shoqëruar me një gotë shampanjë Cristal me vlerë rreth 400 dollarë. Ai veçoi veçanërisht banjën, për të cilën tha se i jepte ndjesinë e një “spa-je me pesë yje në 38,000 metra lartësi”, si dhe shtratin, të cilin e përshkroi si “një shtrat të vërtetë me çarçafë luksozë, jastëkë dhe jorganë të rehatshëm, jo thjesht një ndenjëse të shtrirë”.
Megjithatë, reagimet në rrjet kanë qenë të ndara. Shumë komentues e cilësuan çmimin si të pajustifikueshëm. “14,000 dollarë për një biletë avioni, kjo është përtej arsyes”, shkroi një përdorues. Një tjetër komentoi me ironi: “Për atë çmim do të merrja gjithçka me vete, përfshirë televizorin”. Të tjerë vunë në dukje kontrastin me realitetin ekonomik të shumicës së njerëzve, duke theksuar se përvoja të tilla i përkasin një bote krejtësisht tjetër.
Videoja vazhdon të qarkullojë gjerësisht në YouTube, duke nxitur debat mbi luksin ekstrem në udhëtimet ajrore dhe vlerën reale të një eksperience të tillë.


