Paketat e mbështetjes/ 5900 berberë e parukierë dhe 4900 punonjës në lavazhe përfituan 3 pagat e luftës

0
328

5900 berberë e parukierë dhe 4900 punonjës në lavazhe kanë përfituar 3 pagat e luftës nga paketa e parë e mbështetjes që miratoi qeveria në përballimin e pasojave të COVID-19.

Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj vijoi sot turin e takimeve me sipërmarrësit e vegjël, më të goditurit nga situata e krijuar.

Lulzim Meta është shembull i njeriut të punës e zanatit, që prej 25 vitesh mban familjen me të ardhurat nga berberania e tij në Cërrik. Ai është një nga 5900 zanatçinjtë berberë e parukierë të vendit që deri sot kanë marrë tri paga lufte nga 26 mijë lekë, si bonus i drejtpërdrejtë financiar pas mbylljes së aktivitetit të tyre prej COVID-19.

Ibrahimaj theksoi se vetëm në Cërrik kanë marrë pagën e luftës 450 punonjës në 190 biznese nga paketa e parë dhe nga paketa e dytë.

“Në gjithë Shqipërinë janë rreth 4350 subjekte të regjistruara si berberë e parukierë. Me paketën e parë të luftës kemi mbështetur gjithsej 4200 subjekte me rreth 5900 punonjës berberë e parukierë, të cilët kanë marrë 3 pagat e luftës për 3 muaj, marsin, prillin dhe majin”, tha Ibrahimaj.

Ajo ishte sot edhe në Elbasan për të takuar një tjetër qytetar, biznesi i të cilit u pezullua për periudhën e COVID dhe përfitoi nga paga e luftës.

“Të gjitha bizneset e kanë përfituar pagën e luftës dhe nuk kanë pasur problematika. Problematikat kanë qenë aty ku NIPTI ka qenë me kode të gabuara, apo kur nuk kanë pasur llogari bankare pasi punonjësit mund të kenë qenë të paregjistruar. Kjo situatë na tregoi se sa më formal dhe sa më i rregullt të jesh me shtetin, aq më shpejt do t’i marrësh përfitimet që jep shteti”, tha ajo.

Ibrahimaj theksoi se “për bizneset e lavazhit janë gjithsej 1500 biznese që kanë përfituar nga pagat e luftës për 4900 punonjës në gjithë Shqipërinë”.

“Ne do të vazhdojmë me turin e takimeve. Jemi shumë të interesuar të dëgjojmë se si po ecën dhe si po fillon rinormalizimi i situatës”, tha ajo.

Atsh