“Paketat sipas kërkesës, nuk ka interes për aktivitete jashtë hotelit”

0
268

Flet Blerim Norja, Drejtor i Përgjithshëm i hoteleve “Royal G”

 

Hotelet janë munduar që të përshtatin paketat e tyre sipas kërkesës së klientëve. Kjo do të thotë se nëse kërkohet vetëm fjetja dhe mëngjesi, apo fjetja dhe tre vaktet, nuk ka probleme me disponibilitetin e tyre.

Blerim Norja, Drejtor i Përgjithshëm i hoteleve “Royal G”, pohon se kjo është një formulë mbijetese në këtë sezon të vështirë për të gjithë, por nënvizon se jo të gjithë do t’ia dalin. Ai parashikon falimente të shumta në sektor dhe se përfshirja e paketave të alternuara kërkon një marrëdhënie të konsoliduar me furnitorët dhe fleksibilitet të lartë në staf.

 

Ky vit ka qenë i vështirë për sektorin e turizmit në përgjithësi. Si po ia dilni të përshtatni paketat në kushtet aktuale?

Ne kemi operuar me shërbime dhe fasha të përshtatura për çdo klient që do të thotë se ofrojmë fjetje dhe mëngjes, fjetje, mëngjes dhe drekë ose darkë, apo të tre vaktet të përfshira. E kemi bërë këtë që të mos ketë kufizime për askënd.

 

Kush e kërkon më së shumti shërbimin “fullboard”?

Pjesa që kërkon “fullboard” (mëngjes, drekë, darkë pa pije) janë polakët dhe klientët nga Kosova. Pjesa nga Ukraina zgjedh paketën vetëm me mëngjes dhe darkë. Klientë të caktuar që duan vetëm mëngjesin. Ne jemi shumë elastik tek ofrimi dhe nuk po punojmë vetëm me një lloj shërbimi.

Po përshtatemi për të gjithë klientët dhe kategoritë. Kjo na e ndërlikon pak punën, pasi në një rast normal do të kishim të programuar kërkesën pra sa klientë do të vinin, sa do të qëndronin dhe çfarë shërbimi donin. Tani çdo gjë ndodh në moment të fundit, kur klienti paraqitet në recepsion.

 

Meqë jemi te planifikimi, a keni probleme në këto kushte me furnizimin dhe parashikimin për konsumin, duke qenë se kemi këtë lloj dinamike në rezervime?

E parashikuar, kërkesa një javë para është vetëm në 20% të saj, ndërsa pjesa tjetër është “onrequest” (sipas kërkesës) që do të thotë se ditë pas dite na ndryshojnë shifrat. Në kushtet aktuale, jemi munduar të mirëkuptojmë njëri-tjetrin, kështu që edhe furnitorët janë treguar shumë fleksibël në marrëdhënie me ne, duke qenë korrekt me kërkesat, madje edhe të shtunë e të diel kanë qenë në dispozicion. Si pasojë nuk kemi pasur probleme dhe gjërat kanë funksionuar.

 

Cila kuzhinë preferohet më shumë nga turistët?

Zakonisht është kuzhina italiane ajo që pëlqehet më shumë. Për pjesën e kuzhinës shqiptare nuk ka shumë kuriozitet. Vetëm ukrainasit kanë një lloj kurioziteti për të provuar diçka shqiptare dhe ne këtë e kemi mundësuar përmes ofrimit të bufesë.

 

Si janë kostot për shërbimet dhe paketat që ofroni në strukturat tuaja?

Kostot për person janë më të larta, pasi ka më pak qarkullim dhe ne punojmë nën kapacitet. Edhe shpenzimet e klientëve jashtë paketës janë shumë më të ulëta sesa vitin e kaluar.

 

Si duken të jenë këtë vit, turet apo aktivitetet jashtë hotelit?

Shpenzimet e klientëve jashtë hotelit janë më të ulëta. Ka shumë pak interes, për të mos thënë zero për aktivitete jashtë hotelit, siç mund të jenë turet. Ka pak kërkesa dhe kjo vjen ndoshta edhe prej situatës.

 

A ndihen të frikësuar apo të pasigurt prej situatës turistët që ju vizitojnë?

Mendoj që ata që kanë vendosur të lëvizin e kanë marrë parasysh rrezikun. Nuk shoh frikë nga ana e tyre.

 

 

Po rezervimet si janë, afatshkurta apo njëjavore e më të gjata?

Nëse flasim për turistët nga Kosova, zakonisht zgjedhin vetëm fundjavat e gjata, në kuptimin tre net. Në raste të rralla mund të ketë rezervime deri në 5 net. Ne e kemi parashikuar se kjo do të jetë situata e këtij viti, ndaj të gjithë duhet të përpiqen të mbijetojnë. Turistët nga Kosova kanë një zhvendosje drejt hoteleve këtë vit, pasi çmimet kanë qenë më të mira, duke lënë atë traditën e apartamenteve. Mendoj se sektori do të kalojë vitin më të vështirë dhe falimentimet do të jenë të shumta, pasi pasiguria dhe paqartësia e situatës mbetet e lartë.

 

Ju kishit një investim të ri me 145 dhoma, që hyri në funksion këtë vit. Si ka qenë interesi për të? A e shihni të vështirë rikthimin e investimit?

Si për surprizë, zgjedhja për strukturën e re ka qenë e lartë, sidomos për turistët nga Kosova. Sikurse thashë, është edhe prej faktit të çmimeve dhe komoditetit të ofruar nga hotelet në zonën e Golemit në përgjithësi, por edhe prej kuriozitetit të një strukture të re dhe lehtësive që mund të ofrohen.

Monitor