Pamje dramatike! Djali rrezikon të rrëmbehet brenda një makinë nga rrjedha e ujit

0
2

Një ngjarje dramatike u regjistrua në Dagestan të Rusisë, ku një fëmijë rrezikoi të rrëmbehej brenda një taksie nga ujërat e rrëmbyeshme. Momentet dramatike janë filmuar nga dëshmitarë okularë dhe po qarkullojnë gjerësisht në rrjetet sociale.

Videoja tregon dy burra, njëri prej të cilëve vetëm me të brendshme, të varur pas një trari metalik mbi Kanalin e Revolucionit të Tetorit. Ata arrijnë të kapin fëmijën nga automjeti që po tërhiqej nga rrjedha e fortë e ujit dhe ia dorëzojnë një burri të tretë, i cili e nxjerr të miturin shëndoshë e mirë në breg.
Sipas mediave lokale, shpëtimtarët amatorë arritën gjithashtu të nxjerrin në mënyrë të sigurt nga taksia edhe nënën e fëmijës. Edhe shoferi i automjetit u shpëtua i gjallë, duke shmangur një tragjedi të mundshme.

Njëri nga shpëtimtarët është identifikuar si Assadulla Magomedov, praktikant në shkollën Abdulmanap Nurmagomedov, e cila mban emrin e trajnerit legjendar të arteve marciale të përziera (MMA). Ngjarja ka ngjallur reagime të shumta dhe vlerësime për guximin dhe reagimin e shpejtë të qytetarëve, të cilët me rrezik për jetën e tyre shpëtuan disa persona nga mbytja e sigurt.