Pandemia goditi rëndë ekonominë, Sejko paralajmëron rritje të papunësisë

0
251

Ndalimi i aktivitetit ekonomik për shkak të masave parandaluese për përhapjen e koronavirusit ka goditur rëndë ekonominë shqiptare dhe rikuperimi do të jetë i ngadaltë.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, pas mbledhjes së Këshillit Mbikqyrës tha se rënia e ekonomisë do të shoqërohet me rritje të papunësisë dhe borxhit publik.

Sejko: Rënia e aktivitetit ekonomik pritet të shoqërohet me ulje të punësimit dhe rritje të papunësisë, me zgjerim të deficitit të llogarisë korrente dhe rritje të borxhi publik gjatë vitit 2020.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë bëri me dije se aktiviteti ekonomik do të vazhdojë të mbetet në territor negativ.

Sejko: Në skenarin bazë, aktiviteti ekonomik në vend pritet të shënojë pikun e ngadalësimit në tremujorin e dytë, të vijojë të mbetet në territor negativ gjatë dy tremujorëve në vijim, dhe t’i kthehet rritjes në vitin 2021. Rritja e kërkesës agregate pritet të shoqërohet me rritje të punësimit dhe rritje të pagave e të kostove të prodhimit, duke krijuar premisa për kthimin e inflacionit në objektiv brenda vitit 2022.

Shtyrja e përkohshme e pagesës së kësteve dhe ristrukturimi i kredive ka arritur pikun në muajin qershor.

Sejko: Kredia për sektorin privat vijoi të shënojë rritje në tremujorin e dytë, duke kulmuar në nivelin 7% në muajin qershor dhe duke i mbështetur bizneset dhe familjet shqiptare me likuiditetin e nevojshëm për përballimin e krizës. Gjithashtu, ky sektor ka marrë mbi vete një pjesë të kostos financiare të goditjes, duke lehtësuar më tej barrën për sektorin privat.

Sipas vlerësimit të Këshillit Mbikëqyrës, rikuperimi i ekonomisë është i kushtëzuar nga ecuria e mëtejshme e pandemisë.