Mbi 20 mijë qytetarë u evakuuan nga qendra e Këlnit, në Gjermaninë perëndimore, pasi u zbuluan tre bomba të pashpërthyera të epokës së Luftës së Dytë Botërore që pritet të çaktivizohen gjatë ditës.
Kryebashkiaku i qytetit tha se ishte “operacioni më i rëndësishëm” i këtij lloji në qytet që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.
Tre bombat e prodhuara në Amerikë, të zbuluara gjatë operacioneve të hënën, dy me peshë 1,000 kilogramë dhe e treta 500 kilogramë, mbajnë një detonator që aktivizohet në momentin e impaktit.
Shërbimi i asgjësimit të bombave në Düsseldorf është ngarkuar me çaktivizimin e bombave.
Përveç banorëve, urdhri i evakuimit përfshin edhe një spital, dy azile pleqsh, një stacion treni, disa biznese dhe shumë restorante e hotele, si dhe nëntë shkolla dhe kopshte, tha bashkia e Këlnit në një deklaratë.
Një hartë e zonës së Këlnit që po evakuohet për të çaktivizuar tre bombat:
Lufta e Dytë Botërore mund të ketë mbaruar 80 vjet më parë, por toka në qytetet gjermane mbetet e mbushur me bomba të pashpërthyera, të cilat shpesh zbulohen gjatë punimeve të ndërtimit.
Në vitin 2017, zbulimi në Frankfurt i një bombe masive prej 1.4 tonësh çoi në evakuimin e 65,000 njerëzve.
Në dhjetor 2021, një bombë shpërtheu në një kantier ndërtimi pranë stacionit të Mynihut, duke plagosur katër persona dhe duke ndërprerë trafikun e trenave.