Paraburgimi i Durrësit “mikpret” politikanët/ Nga Alla te Dako, nuk mungon dhe një i djathtë

0
74

Disa emra politikanësh gjenden atje. SPAK ka bërë të mundur muajt e fundit që klasa politike që gjendet pas hekurave të zgjerohet.

Kryebashkiaku i PS-së në Bulqizë, Lefter Alla është arrestuar me urdhër të SPAK më 15 mars të këtij viti.  Alla është arrestuar pasi akuzohet për korrupsion dhe se ka kryer abuzime me tenderët publike gjatë ushtrimit të detyrës si kryetar i bashkisë së Bulqizës. Alla pritet të transferohet te paraburgimi i Durrësit.

Një tjetër emër i cili do të transferohet te paraburgimi është kryetari aktual i bashkisë së Himarës Fredi Beleri. Beleri është arrestuar me urdhër të SPAK më 12 maj vetëm dy ditë para zgjedhjeve lokale, nga të cilat doli i triumfuar si Kryetar i Bashkisë së Himarës. Fredi Beleri, u arrestua në flagrancë nën dyshimin se tentoi blerjen e tetë votave kundrejt shumës 40 mijë lekë të reja.

Vangjush Dako, ish kryebashkiaku i Durrësit është arrestuar me urdhër të SPAK së bashku me 8 ish zyrtarë të bashkisë së Durrësit dhe një ndërtues më 6 qershor të këtij viti. Ndaj Vangjush Dakos rëndon akuza për shpërdorim detyre në 2 raste. Njëra për leje ndërtimi të dhënë para 11 vitesh dhe për një tender të vitit 2014-2015 që i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 18 milionë lekësh.

Ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka është vënë në pranga bashkë me dy persona të tjerë pasi akuzohet për shpërdorim detyre, pastrim parash dhe korrupsion më 14 dhjetor të vitit 2021.

Ish-kryetari i Bashkisë së Kukësit, Safet Gjici, është arrestuar më 24 qershor.

Mësohet se Gjici, i cili kishte masë sigurie nga gjykata e Posaçme për korrupsion, është arrestuar në lokalin poshtë shtëpisë së tij.

Alqi Bllako: Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Alqi Bllako është arrestuar me urdhër të SPAK që në 1 prill 2022, me akuzën se ka përfituar 15 milionë lekë ryshfet, përmes babait të tij nga kompania që ndërtoi inceneratorin e Fierit.

(Xh.H/FaxWeb.al)