- Kuvendi kërkesë qeverisë për para shtesë, pasi deputetët kanë harxhuar pjesën më të madhe të buxhetit…
Kuvendi rrezikon të mbesë pa para, kjo pasi taksat tona janë bërë “rrush e kumbulla” nga deputetët. Ata që qahen për pensione të ulëta e rritje çmimesh, në fakt bëjnë jetë luksi. Përveç pagave që marrin nga 3 mijë euro në muaj, kanë harxhuar me miliona lekë për qejfe, dieta, hotele dhe udhëtime.
Sipas një raporti të hartuar nga Kuvendi sa u takon shpenzimeve buxhetore për periudhën janar-gusht, rezulton se deputetët kanë harxhuar 70 për qind të planit vjetor dhe Kuvendi ka kërkuar fonde shtesë nga qeveria.
“Janë planifikuar 57 milion lekë për gjithë vitin 2024, ndërsa në 8-mujor rezultojnë të shpenzuara 40 milion, ose 70% e planit vjetor në këtë zë. Me këtë ecuri, do të duhen dhe 5-6 milion shtesë buxheti për këtë zë. Për periudhën 8-mujore janë lëshuar 105 urdhra për udhëtime jashtë shtetit, për udhëtimin gjithsej të 339 persona, nga të cilët 212 deputetë, 25 staf politik dhe 122 staf administrativ. Për këto udhëtime janë shpenzuar 7 milion lekë dieta, 17 milion lekë bileta dhe 16 milion lekë hotel e të tjera ( si taksi, përkthim, marrje me qira auto veturë, fee pjesëmarrje)”, thuhet në dokument.
Por miliona nuk janë harxhuar vetëm për udhëtime jashtë, por edhe për brenda vendit. Janë harxhuar 164 milionë lekë për rimbursim telefoni, karburant apo dieta.
“Janë shpenzime që sanksionohen në Statusin e Deputetit, dhe modalitetet janë miratuar me vendimin e Kuvendit nr.114/2014. Këtu përfshihen dieta brenda vendit, shpenzime për karburant/transport, shpenzime për telefoninë, qira banese kundrejt disa kushteve si dhe honorare për pjesëmarrje në mbledhjet e komisioneve (deri në një numër të përcaktuar në vendim). Planifikimi vjetor për këto shpenzime është 235 milion lekë, ose rreth 46 % e këtij grupi shpenzimesh. Realizimi faktik në 8-mujor është 164 milion lekë, ose 70 % e planifikimit vjetor. Me aktin normativ nr.3, Kuvendit ju miratuan një pjesë e fondeve shtesë të kërkuara zyrtarisht, të cilat nga ridetajimi, do të mund të plotësojnë disa shtesa të nevojshme në këtë zë”, thekson dokumenti i siguruar nga “Pamfleti”.
Ndërkohë Kuvendi ka dalë me “fitim” sa i takon pagave, kjo për shkak të përjashtimeve të deputetëve të opozitës, mungesës së Berishës apo faktit që disa deputetë janë dhe ministra dhe nuk paguhen nga Kuvendi.
“Plani 8-mujor i këtyre shpenzimeve është realizuar 88.51%, ndërsa kundrejt planit vjetor, realizimi është 58.08 %. Argumentet mbi realizimin faktik më të ulët se plani i fondit të pagave, lidhen me mosplotësimin e numrit të punonjësve (përfshirë deputetët). Nga 140 deputetë për të cilët planifikohet fond page, 9 deputetë nuk paguhen në Kuvend, për shkak të funksioneve në qeveri; stafi politik në proces plotësimi dhe stafi administrativ gjithashtu, në proces rekrutimi”, thekson raporti.
Shumë para kanë shkuar dhe për ekspertë, të cilat janë marrë në “punë” nga komisionet hetimore apo të posaçme. Gjatë vitit 2024, janë planifikuar 3.5 milion lekë për këto pagesa, pasi nuk ka pasur një kërkesë konkrete, të llogaritshme, ndërsa janë shpenzuar 13 milionë lekë në 8-mujor. Pra 3.7 herë më shumë se planifikimi.
“Për vitin 2024 janë ngritur dy komisione hetimore dhe një grup pune nga Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut. Komisionet hetimore janë miratuar për të mbështetur veprimtarinë e tyre nga 4 ekspertë secili, ndërsa grupi i punës pranë Komisionit te Ligjeve ka miratuar 6 ekspertë, për të cilët nuk ka patur fonde të planifikuara. Siç më sipër u citua, që akti normativ nr.3 ka shtuar buxhetin e Kuvendit në këtë zë buxhetor, rishpërndarja do të mundësojë sigurimin e këtij nëngrupi, me fondet buxhetore”, thekson Kuvendi.
Në fund Kuvendi bën me dije se në Ministrinë e Financave, është dërguar kërkesa për 90 milion lekë fonde shtesë. /Pamfleti