Parku “Rinia” në Elbasan është kthyer në vend droge dhe banjo publike

0
229

Parkut Rinia në Elbasan, duket se i ka mbetur vetëm emri nga ai i dikurshmi që ishte realisht një park, pasi ndërhyrjet e bëra me miliarda lekë investime i kanë dhënë pamjen e një llogoreje lufte me mure prej guri dhe nënkalime të pakuptueshme që kanë prishur ambientin e tij.

Sikur të mos mjaftonte ky betonizim i pakuptimtë, ndërhyrjet e bëra dhe lënia me pas në mëshirë të fatit pa i dhënë asnjë drejtim apo ruajtje, e kanë kthyer parkun në një banjo masive publike.

Orët e mbrëmjes këto dyqane që askush nuk i merr edhe pse bashkia i ofron falas, kthehen në vende të rrezikshme, dhe strehë për personat që drogohen. Pa ndriçim, pa ruajtje dhe pa asnjë vëzhgim nga policia, vetratat dhe dyert janë vjedhur dhe dëmtuar.

Ndërsa grupe të rinjsh shfrytëzojnë këtë kanal, një zot e di se përse, duke shtuar pasigurinë e mijëra personave që privohen të shëtisin në orët e mbrëmjes.

Bashkia e Elbasanit është në dijeni të situatës, por shprehet se nuk mund ta administrojë dot dhe se nuk ka tagër të merret me persona që kryejnë  vepra penale.

Nga ana tjetër policia e rendit shprehet se objektet në fjale duhet të sigurohen nga policia bashkiake.

E derisa institucionet ligjzbatuese në Elbasan t’i dalin për zot këtij investimi miliarda lekësh, të kthyer në çfarëdo përveç se një parku, qytetarët elbasanas duhet ta mendojnë mirë teksa shëtisin në këtë park, në orët e mbrëmjes.