Edhe pse Policia e Tiranës njoftoi se nuk e ka autorizuar për zhvillimin e tubimit, Partia Demokratike ka nisur përgatitjet për protestën që pritet të nisë sot në orën 18:00 para Kryeministrisë.
Godina e Kryeministrisë ka nisur ndërkohë “blindimin”, në mënyrë që të mos cenohet nga protestuesit.
Para godinës është vënë një gardh metalik, ndërkohë që pak metra më tej po ngrihet podiumi ku pritet të mbajë fjalimin kreu i PD Sali Berisha.
Policia njoftoi sot se nuk e autorizon protestën, ‘bazuar në analizën e riskut dhe duke marrë parasysh faktin që në protestën e kaluar ka patur shtetas të maskuar të cilët kanë hedhur bomba molotov dhe lëndë piroteknike duke dëmtuar punonjës policie, si dhe nga informacionet e marra se mund të ketë veprime të dhunshme në protestën e sotme’.
Megjithatë, sipas policisë, janë marrë masat për bllokimin e disa akseve rrugore. Nga ora 15:00, deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.


