Kombëtarja e Shqipërisë do të luajë sot ndaj Gjeorgjisë në transfertë në kuadër të xhiros së katërt të Ligës së Kombeve.
Ndeshja e cila do të nis nga ora 18:00 në stadiumin ‘Mikheil Meskhi’ në Tbilisi ka një rëndësi të madhe për kuqezinjtë.
Pas dy humbjeve radhazi, të besuarit e Sylvinhos do të kërkojnë me çdo kusht fitoren për të mbajtur ‘gjallë’ shpresat për kualifikim nga grupi si lider.
Në përballjen e fundit mes këtyre dy kombëtareve e cila u zhvillua në ‘Air Albania’, kuqezinjtë humbën minimalisht me rezultat 1-0.
Momentalisht Shqipëria ka tre pikë dhe renditet e treta në tabelë teksa grupin e udhëheq pikërisht Gjeorgjia me gjashtë pikë aq sa ka edhe Republika Çeke në vendin e dytë.
Kjo do të jetë ndeshja e fundit e këtij muaji për Shqipërinë ndërsa ata do të rikthehen në aksion sërish gjatë nëntorit me dy ndeshjet ndaj Çekisë dhe Ukrainës.