Pas arrestimit të mësuesit në Tepelenë i cili akuzohet për abuzim me nxënëset, reagon ministrja Kushi: Nëse vërtetohet fajësia…

0
88

Ministrja e Arsimit Evis Kushi ka reaguar pas ngjarjes që tërhoqi vëmendje ditën e djeshme në Tepelenë duke vijuar me të tjera ngjarje ditën e sotme.

Mësuesi i edukimit fizik në shkollën 9-vjeçare në Tepelenë është dhunuar nga persona të panjohur sipas tij, ndërsa dje autori pasi është vënë në kërkim është dorëzuar në polici ku ka shprehur se ka goditur mësuesin. Arsyeja e ushtrimit të dhunës ka qenë se autori pretendon se mësuesi i ka ngacmuar seksualisht motrën 13 vjeçare që është nxënëse e tij. Një tjetër nxënëse ka bërë kallëzim për mësuesin e ndërsa u arrestua, është pezulluar nga detyra përkohësisht deri në përfundimin e hetimeve.

Kushi deklaroi se përballë ngjarjeve të tilla qëndrimi i ministrisë është i prerë dhe nëse vërtetohet fajësia, krahas dënimit nga organet kopetente, personi përgjegjës përjashtohet përgjithmonë nga sistemi arsimor.

Reagimi i ministres Evis Kushi:

Kemi ndjekur nga afër ngjarjen e ditëve të fundit të ndodhur në Tepelenë, ku një mësues është dhunuar, pasi akuzohet nga familjarët për abuzim ndaj vajzës së tyre. Për mësuesin është marrë masa e ndalimit nga policia dhe Zyra Arsimore Tepelenë ka marrë sot vendimin për pezullimin e mësuesit nga puna deri në përfundimin e plotë të hetimeve.

Nxënëses menjëherë i është ofruar ndihmë nga punonjësit e shërbimit psiko-social dhe gjithashtu drejtoria dhe stafi i shkollës do të vijojnë mbështetjen për vajzën dhe familjen e saj, për ta kapërcyer këtë situatë.

Besojmë fort se organet e drejtësisë do ta zbardhin shumë shpejt të vërtetën e kësaj ngjarjeje dhe do të marrin vendimet e duhura ligjore. Siç e kemi bërë të ditur edhe më parë, qëndrimi ynë për këto raste është i prerë dhe nëse vërtetohet fajësia, krahas dënimit nga organet e drejtësisë, personat përgjegjës përjashtohen përgjithmonë nga sistemi arsimor.

Për këtë arsye, kemi përfshirë një nen të ri në Ligjin për Arsimin Parauniversitar, i cili do të miratohet së shpejti në Kuvendin e Shqipërisë. Ne nuk do të lejojmë të punojë në institucionet tona arsimore askënd që cënon shëndetin dhe mirëqenien e nxënësve tanë.