SPAK do bëjë pjesë të hetimit denoncimet e qytetarëve e dëmtuar nga vendimet e paligjshme të gjyqtares Pajtime Fetahu e madje do thirren si dëshmitarë; por do hetohen dhe zyrtarë policie, prokurorë e gjyqtarë që janë pjesë e favorizimeve në vendimet e që ka dhënë kjo gjyqtare…
Deri ditën e aksionit të SPAK më 25 nëntor në Elbasan, qytetarë e biznesmenë të dëmtuar nga vendimet klinteliste e korruptive të gjyqtares Pajtime Fetahu, kishin frikë ta denonconin, sepse ajo kishte në shërbim bandën e Suel Çelës, të lidhur me politikën, qeverinë, policinë e drejtësinë.
Por 24 orë pas arrestimit të gjyqtares Pajtime Fetahu, kriminelëve Mario Çela, Marsel e Xhino Roka dhe anëtarëve të bandës “Çela”, si edhe të shpalljes në kërkim të bosit Suel Çela, në SPAK janë dërguar shumë denoncime në SPAK për këtë gjyqtare.
Informacioni i ardhur në “Pamfleti”, bën me dije se qytetarë e biznesmenë nga Elbasani dhe 6 bashki të qarkut, kanë dërguar te drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, denoncime me prova e dokumente konkrete, për vendimet e paligjshme e korruptive të gjyqtares Pajtime Fetahu.
Qytetarët ankohen për grabitje tokash, trojesh, banesash, llogari bankare, aksione biznesesh, shpërfillje ekspertimesh ligjore, burgosje të padrejta, lirime e mos burgosje të autorëve të krimeve, duke dhënë vendime gjyqësore në favor të atyre që e paguanin më shumë.
Dosja e arrestimit të gjyqtares Pajtime Fetahu, ku janë përgjimet e bisedave të SKY-ECC me kapobandën e Elbasanit, Suel Çela, vërteton se ajo ishte e përfshirë në akte favorizimi të eksponentëve të krimit, kundrejt shpërblimeve financiare e pasurore.
Këtë e provon dhe vendimi i KLD në muajin shkurt 2017, për pezullimin nga detyra, mbasi ishte filmuar duke kërkuar 2000 Euro për lirimin e një të arrestuari, por në shtator 2017, Prokuroria e Krimeve të Rënda e pushoi hetimin për të.
Sipas bisedave në SKY-ECC, del se në muajin maj 2018, KLD e riktheu në detyrë gjyqtaren Pajtime Fetahu, me ndërhyrjen e kapobandës Suel Çela te Ilir Meta, i cili në atë kohë ishte President Republike dhe Kryetar i KLD.
Ndërsa në datën 6 qershor 2021, Inspektorati i Lartë i Drejtësisë e dënoi gjyqtaren Pajtime Fetahu me ndalimin e 50% të pagës për 6 muaj, me prova për njëanshmëri e korrupsion në vendimet gjyqësore që jepte.
Referuar dosjes së saj, SPAK do bëjë pjesë të hetimit denoncimet e qytetarëve e dëmtuar nga vendimet e paligjshme të gjyqtares Pajtime Fetahu e madje do thirren si dëshmitarë; por do hetohen dhe zyrtarë policie, prokurorë e gjyqtarë që janë pjesë e favorizimeve në vendimet që ka dhënë kjo gjyqtare.
Në bisedat SKY-ECC, me rol aktiv pazaresh brenda bandës kriminale “Çela”, ka dalë dhe Megi Fetahu, vajza e gjyqtares Pajtime Fetahu, që është pedagoge te universiteti “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, por SPAK nuk ka nxjerrë urdhër arresti për të, ndërsa djali Arbi Fetahu është shef sektori te tatimet e Qarkut Elbasan dhe Këshilltar i PS në Bashki./Pamfleti