Pas Australisë, edhe Danimarka kërkon ndalimin e rrjeteve sociale për nën 15-vjeçarët

0
3

Pas Australisë, e cila nisi këtë javë zbatimin e një ndalimi të rrjeteve sociale për fëmijët nën 16 vjeç, Danimarka po planifikon të ndjekë shembullin duke kufizuar ndjeshëm aksesin e të rinjve në rrjetet sociale, sipas AP.

Qeveria daneze njoftoi muajin e kaluar se kishte arritur një marrëveshje me tre parti të koalicionit qeverisës dhe dy parti opozitare për të ndaluar aksesin në rrjetet sociale për këdo nën moshën 15 vjeç.

Një masë e tillë do të ishte hap i paprecedent në Bashkimin Evropian për të kufizuar përdorimin e rrjetave sociale nga adoleshentët dhe fëmijët.

Plani danez mund të bëhet ligj që në mes të vitit 2026.

Shumë platforma sociale tashmë ndalojnë fëmijët nën 13 vjeç të regjistrohen dhe një ligj i BE-së kërkon nga BigTech të vendosë masa për të mbrojtur të rinjtë nga rreziqet online dhe përmbajtjet e papërshtatshme.

Por, zyrtarët dhe ekspertët thonë se këto kufizime nuk funksionojnë gjithmonë.

Autoritetet daneze kanë theksuar se, pavarësisht kufizimeve, rreth 98% e fëmijëve danezë nën 13 vjeç kanë një profil në të paktën një platformë sociale, dhe pothuajse gjysma e fëmijëve nën 10 vjeç gjithashtu.

Ministrja për Çështjet Digjitale, Caroline Stage, që njoftoi ndalimin e propozuar muajin e kaluar, tha se masës i duhet ende një proces konsultimi dhe disa leximet në parlament përpara se të bëhet ligj, ndoshta deri në mesin ose fundin e vitit të ardhshëm.

Disa ekspertë paralajmërojnë se kufizimet, si ai i propozuar nga Danimarka, nuk funksionojnë gjithmonë dhe mund të ndikojnë edhe në të drejtat e fëmijëve dhe adoleshentëve.

”Sfidë më e madhe për mua janë të drejtat demokratike të këtyre fëmijëve. Më duket e trishtë që kjo nuk është marrë më shumë në konsideratë”, tha Anne Mette Thorhauge, profesoreshë në Universitetin e Kopenhagës.